Kandidatja e Partisë Socialiste e renditur e para në listën e qarkut të Shkodrës Edona Bilali, deklaroi sot se “kryesimi i listës është një përgjegjësi e rëndësishme, por mendoj se vjen me një mesazh për të gjithë qytetarët e Shkodrës, të cilët mendoj se janë ndjerë të papërfaqësuar”. “Mendoj se kjo listë është lista më përfaqësues e dinjitoze që Partia Socialiste ka patur ndër vite. Është një skuadër që bashkon forca midis teknicienësh, njerëzish me eksperiencë në politikë, e të rinj që janë e ardhmja e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë“, tha Bilali gjatë takimit të mbajtur nga kryeministri Edi Rama për prezantimin e skuadrës së 25 prillit në këtë qark.
Bilali vijoi duke u shprehur se skuadra i përgjigjet më së miri vizionit të PS-së për t’i rikthyer bukurinë Shkodrës. “Nuk po ndalem shumë se çfarë është bërë. Shkodra i ka sytë të pjesa se çfarë do të bëhet dhe pikërisht për atë që do të bëhet është krijuar edhe kjo skuadër e cila është maksimalisht e angazhuar për të vijuar projektet dhe për të krijuar të tjera që i rikthejnë Shkodrës bukurinë e saj, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës, jo më nga ana fiskale, pasi e pranojnë vet bizneset e vogla, nuk kërkojnë më shumë se sa është bërë me pagat, TVSH e heqjen e tatimfitimit, por për thithjen e investimeve të reja”, deklaroi ajo.
Shkodra, tha Bilali, ka një karakteristike që gjithë librat e historisë e paraqesin se është ndër qytetet më të rralla të Europës. “I kemi të gjitha, detin, lumin, liqenin, malin, por shkodranët shkonin në Pukë e ndjeheshin mirë apo në Malësinë e Madhe edhe atje ndjeheshin mirë, por kur ktheheshin nuk ndjeheshin mirë, për të mos folur për qytete që kalojnë qarkun si Vlora apo Korça. Epo tani është momenti që pas 30 vitesh për të marrë një vendim shkodranët, qytetarët, a do të vazhdojmë të jemi pjesë e tifozllikut politik apo t’i japim një shans vetes sonë, jo PS-së, për të jetuar në një qytet më të mirë, më të pastër, me më shumë investime”, tha ajo.
Bilali tha se Shkodra ka vërtet nevojë për një plan veprimi. “Më pëlqen shumë që nuk quhet program, por plan veprimi, sepse për njerëzit që duan të ngrihen në mëngjes dhe të bëjnë gjëra për Shkodrën është një plan që do të nisë menjëherë pas zgjedhjeve. Unë kam besimin e plotë që Shkodra këtë herë kthen e qyteti jep votëbesimin e plotë për të na dhënë ne shansin për t’i shërbyer e për t’i dhënë akoma më shumë sa sa është bërë këto vite”, u shpreh kandidatja e PS-së, Edona Bilali.