Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Elva Margariti dhe Ilir Beqja kanë vizituar xhaminë e Plumbut, ku do të nisin zbatimin e projektit të restaurimit të thellë si dhe transformimit të krejt mjedisit përreth.
Rama thotë se qëllimi është që t’i kthehet besimtarëve një tempull në kushte optimale, duke i shtuar edhe Shkodrës e Shqipërisë, një tjetër atraksion të madh turistik. Së bashku me kryeministrin ishte edhe myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, të cilit Rama i tha se shtysa reale për projektin e restaurimit është “gjysma myslimane që ka në shtëpi”.
Rama: Kështu është jeta, ju erdhi një katolik t’jua rregullojë.
Sytari: E kam menduar shpesh se kush do e kishte fatmirësinë të bënte një fakt serioz për Xhaminë e Plumbit dhe u jemi shumë mirënjohës ju dhe Erdoganit. Ju duhet të jeni kryeministri i parë i 100 viteve që shkel në këtë xhami.
Rama: Në fakt këtu kam shkelur kur kemi ardhur për meshën që bëri Don Simoni tek varrezat dhe ishte ai momenti që u angazhuan myslimanët dhe katolikët për të hapur edhe këtë. Ishte fantastike fare. Në fakt, që ta dish, shtysa reale është gjysma ime myslimane që kam në shtëpi. Ajo që është vlera më e madhe e shtuar në disa ndërhyrje që disa e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë, komuniteti i besimtarëve është përfituesi kryesor. Vlera e shtuar është historia pranë gjeneratave të tjera që fëmijët tanë ta kenë parasysh të gjithë thesarin e trashëgimisë. Feja është kulturë dhe histori.