Një vit më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një pandemi globale.

Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, vendet evropiane shpresonin që sistemet e tyre shëndetësore të mirëfinancuara do të ofronin një lloj mbrojtjeje, por kontinenti u godit fort që në fillim dhe vazhdon të përballet me nivele të larta infeksioni.

Qyteti Kodonjo, në Italinë veriore, ende mbart vragën e famës së padëshiruar si epiqendra e shpërthimit të parë të epidemisë së koronavirusit në Evropë.

Më 20 shkurt të vitit të kaluar, një 38-vjeçar u shtrua në spital me probleme të frymëmarrjes. Të nesërmen u diagnostikua me koronavirusin. Kryemjeku Francesco Tursi kujton tmerrin që pasoi.

“Dëgjuam për një, dy, tre raste dhe menjëherë u mbushëm me pacientë me probleme serioze të frymëmarrjes, nuk merrnin dot frymë. Nuk kishim kohë as të mendoheshim. Kjo ndryshoi vërtet jetën tonë”, tregon Dr. Tursi.

Pak muaj më vonë, vetë dr. Tursi u infektua me virusin dhe kaloi një muaj i shtruar në spital.

Ndërsa rastet u shumëfishuan, Italia veriore hyri në izolim. Ishte një masë e pakët dhe e vonuar. Në ditët në vazhdim, disa vende evropiane njoftuan raste të reja.

Derisa OBSH-ja shpalli pandeminë globale më 11 mars, Spanja, Franca dhe disa vende të tjera evropiane kishin imponuar masa izolimi.

Por, Britania rezistoi duke e shtyrë izolimin për dy javë të tjera, kundër sugjerimeve shkencore.

“Nëse do të kishim vendosur masa izoluese një javë më herët, do ta kishim zvogëluar numrin e viktimave me të paktën gjysmën”, thotë Neil Ferguson, ish-këshilltar shkencor i qeverisë britanike.

Britania pati numrin më të madh të viktimave në Evropë gjatë vitit 2020. Ekonomia e saj ishte gjithashtu e goditur fort – u tkurr me gati 10%.

“Mbretëria e Bashkuar është shembull i shkëlqyer i konceptit se kur përpiqesh të zgjedhësh mes shëndetit publik apo ekonomisë, i humbet të dyja”, thotë Dr. Peter Drobac, nga Universiteti i Oksfordit.

Në Turqi, doktorët akuzonin qeverinë për fshehje të nivelit të vërtetë të pandemisë, ndërsa spitalet mbusheshin me pacientë.

Edhe Rusia u akuzua për manipulim; doktorët thonin se niveli i vërtetë i vdekjeve ishte ndoshta tre herë më shumë se numri zyrtar prej 57 mijë të vdekurish gjatë vitit 2020.

Ndërsa masat izoluese vazhduan gjatë verës, qeveritë në mbarë Evropën injektuan miliarda në ekonomitë e tyre për t’i ruajtur bizneset dhe vendet e punës. Borxhi publik u ngjit në pikiatë.

Por ndërsa viti i zymtë 2020 i afrohej fundit, shkenca ofroi shpresë. Provat klinike treguan se disa vaksina ofrojnë mbrojtje të fortë nga COVID-19. Britania u bë vendi i parë perëndimor që filloi një program vaksinimi masiv.

“Nuk mund të nënvlerësojmë përmasat e arritjes së kësaj – nga identifikimi i një virusi të ri dhe zbardhja e kodit të tij gjenetik në janar 2020, të kesh 11 muaj më vonë një numër vaksinash të sigurta dhe jashtëzakonisht efektive”, thotë Dr. Drobac.

Rreziqet shtrihen ende përpara. Infektimet mbeten të larta dhe ekziston frika për variante më rezistente të virusit që qarkullojnë në Evropë.

Në Kodonjo, dr.Tursi vazhdon të kurojë pacientët. Si qindra mijëra punonjës të tjerë në pararojë, ai rrezikoi jetën e tij për t’i ndihmuar të tjerët të mbijetojnë. Pandemia e ka ndryshuar jetën në mënyra të panumërta – dhe nuk ka përfunduar ende. (VOA)