Kryeministri Edi Rama ka komentuar caktimin e Fatmir Xhafës në vendin e 23 në listën për Tiranën. Ai tha se Xhafa e ka pranuar vetë këtë, si një sfidë, e megjithatë tha se me hapjen e listave ai ka mundësinë për t’u ngjitur në një pozicion.

“Është shumë e rëndësishme të nënvizohet se që nga fakti që ata që nuk kanë lënë gjë pa i bërë Fatmir Xhafajt, me të katër sytë, që nga syri i Saliut, Lulit, Monikës e Ilirit, ata janë tani shumë të shqetësuar. Shqetësohen se PS nuk po konsideron një vlerë kaq të madhe, ndërkohë që atij njeriu nuk kanë lënë gjë pa i bërë, duke shkuar përtej çdo limit moral, etik, njerëzor, dmth e kanë sulmuar si kafshë. Tani menjëherë ndjehen të lënduar dhe flasin në emër të opinionit. Kjo është për t’u nënvizuar, sepse është e rëndësishme që njerëzit ta mbajnë parasysh këtë. Për çfarë u lënduan këta? Kanë hallë se do humbasë PS, apo se PS është dobësuar? Përderisa unë erdha këtu dhe po e bëj këtë bashkëbisedim, sigurisht që nuk kam ardhur këtu t’i shmangem asnjë pyetje dhe do iu përgjigjem edhe pyetjeve që lidhen me individë.

Gjëja që më shqetëson është se flitet për lista fituese e jo fituese, ndërkohë që këtu është përmbysur koncepti. Këtu nuk ka në këndvështrimin tim dhe konceptimin mbi të cilin është ndërtuar skuadra nuk ka lista fituese e jo fituese, nuk ka vend për të vënë stenda e për t’i vënë njerëzit në stenda sipas historisë e kontributeve, që këta kanë dhënë në një segment apo në një segment tjetër. Kjo është ndeshje për të dalë përpara popullit për të ardhmen, apo kjo është një kohë kur po shkojmë në një panair që të ekspozojmë reliket dhe antiket dhe individët sipas historisë sonë. Kjo është shumë e thjeshtë. Skuadra ndërtohet për të fituar dhe maksimizuar rezultatin me të gjithë lojtarët që ka. Nëse doni të dini dhe nëse do flisja unë për Fatmir Xhafajn, atëherë çfarë mbetej për ju pastaj. I kam thënë gjërat siç i kam menduar dhe siç i mendoj edhe sot për Fatmir Xhafajn, kur shumica e jush ju qep nga mbrapa e nuk e la rehat. Sot, kundërshtarët janë shumë të shqetësuar, se ju ka dalë përballë një skuadër që as nuk e prisnin dhe as nuk dinë si ta luftojnë, se është një skuadër me shumë fuqi të reja e të jashtëzakonshme.

Kundërshtarët janë të shqetësuar se u ka dalë përballë një skuadër që nuk dinë se si ta luftojnë se është me fuqi të reja, që ka energji të jashtëzakonshme për këtë ndeshje, ndërkohë skuadra e PD nuk ka energji dhe ne kemi vënë të gjithë drejtuesit dhe figurat që kanë marrë nga PS pafundësisht vlerësime, mbështetje, promovime aty ku duhen në skuadër, kemi bërë ne ekspozitë dhe nuk është fronti i betejës te emrat e parë, por te objektivi, dhe aty shkon Gjenerali dhe jo gjithë trupa. Xhafa e ka pranuar sfidën për të kontribuar për skuadrën në një pozicion ku sigurisht duhet të bëjë përpjekje për të thyer listën. Sepse nuk kemi ne një skuadër që është 1-19 që funksionon dhe më pas një eturazh që shkon nga pas, sot listat janë të hapura”, tha Rama.