Kryeministri francez, Jean Castex mori sot dozën e tij të parë të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19, në spitalin ushtarak Bégin në Saint-Mandé, pranë Parisit, një injeksion që synon të sigurojë francezët pas pezullimit të shkurtër të vaksinës.

“Nuk ndjeva asgjë…”, komentoi kryeministri 55-vjeçar.

Përballë rrezikut të mosbesimit të një pjese të popullsisë, Castex njoftoi të martën se ai do të vaksinohej “shumë shpejt”, nëse hiqej pezullimi i vaksinës AstraZeneca, duke e quajtur atë “të dobishme”, pavarësisht shqetësimeve në lidhje me efektet anësore të mundshme.

“Deri më tani, i kisha vendosur vetes një kurs veprimi, domethënë të vaksinohem kur të vijë radha ime, asnjë privilegj”, deklaroi ai.

“Por mendova se do të ishte më e mençur që të vaksinohesha sa më shpejt (…) për t’i treguar bashkëqytetarëve të mi se vaksinimi është mënyra për të dalë nga kjo krizë dhe se ne mund të shkojmë atje në mënyrë të sigurt”, sqaroi Castex.

Dy orë më parë, Autoriteti i Lartë i Shëndetit i vendit (HAS) i dha dritën jeshile rifillimit “pa vonesë” të vaksinimit me AstraZeneca, ndërsa rekomandoi që ai të rezervohej për personat e moshës 55 vjeç e lart./