Faqja zyrtare e FSHF-së në internet ka lartësuar paraqitjet e kuqezinjve tanë në fundjavë, në kampionatet dhe skuadrat respektive ku luajnë. Njëri ndër to, që ka merituar “duartrokitjet” e qeverisë sonë të futbollit është Elseid Hysaj, që mbrëmë luajti titullar ndaj Milanit, madje spikati me paraqitjen e tij. Ja çfarë shkruan fshf.org për shkodranin tonë kuqezi:
“Një paraqitje të shkëlqyer ka dhuruar mbrëmjen e së dielës mbrojtësi shqiptar që luan në radhët e Napolit, Elseid Hysaj. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘San Siro’ kundër Milanit, Hysaj ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, duke qenë vendimtar në disa raste për gol nga ana e ekipit milanez.
Shkodrani që u hodh në fushë që në minutën e parë nga trajneri Gennaro Gattuso u vlerësua me notën 7.6 nga uebsajti i specializuar për statistikat, “SofaScore”, duke qenë kështu lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes pas portierit të Napolit, Davide Ospina. Sipas të dhënave të marra nga ky uebsajt, Hysaj ka qenë 73.7% i saktë në pasime në të gjithë ndeshjen dhe ka arritur të fitojë 7 nga 9 duele në fushën e lojës dhe 1 nga 3 duele në ajër.
Kjo ka qenë një fundjavë fantastike për Kombëtaren Shqiptare, me paraqitjet e mira të futbollistëve tanë, duke filluar nga mbrojtja me Elseid Hysaj, në mesfushë me Endri Çekiçin, i cili shënoi gol në Turqi dhe duke mbërritur në vijën e sulmit ku Myrto Uzuni shënoi golin e 9-të me Ferencvarosh”.