Nga Endri Kajsiu/ Vaksina është malli më i kërkuar sot në botë. Është një moment tjetër i menaxhimit të pandemisë e cila ka si të vetmen shpresë çlirimi, vaksinimin. Shqipëria sot që flasim ndihet e lehtësuar sepse nga e diela ka nisur vaksinimi masiv dhe shifrat e të vaksinuarve në ditë janë shumë inkurajuese.
Vetëm ditën e djeshme u vaksinuan në rang vendi mbi 20 mijë e 400 qytetarë, ndërkohë që kryeministri është shprehur se kapacitetet janë që të arrijmë deri në 30 mijë vaksinime në një ditë. Pafyshim që ky është një lajm fantastik për shëndetin dhe ekonominë e vendit, pasi me këto ritme pritet që stina e verës të jetë e hapur për turistët. Ajo që është tanimë fakt është se vaksinimi masiv falë marrëveshjes me Pfizer, Astrazeneca dhe Sinovac, nuk ndalon. Janë siguruar mbi 2.5 milionë vaksina e fatmirësisht nuk ka më pengesa për vazhdimin e vaksinimit masiv, dhe këto vaksina duhet thënë që janë siguruar falë lëvizjeve të kryeministrit Edi Rama, duke filluar nga New Yorku në Londër e Stamboll. Ai e ka fituar këtë garë.
Kjo është panorama e menaxhimit të pandemisë në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, opozita e zënë në befasi nga lëvizjet e Ramës i cili siguroi vaksinën për shqiptarët, ka nisur një dy fushata; një fushatë dezinformimi për të bërë shqiptarët që të mos marrin vaksinën dhe nga ana tjetër një fushatë infektimi duke zhvilluar mitingje që janë potencial i madh infektimi. Fakti që opozita është e surpizuar që Edi Rama arriti të sigurojë vaksinën në një kohë kur e gjithë bota është turrur për ta patur, tregon se ata nuk kanë patur e nuk kanë asnjë ide se si mund ta sillnin vaksinën në vend. Thënë ndryshe, nëse ata do ishin sot në pushtet, ne do të ishim sot si Kosova duke pritur të na sjellë ndonjë vaksinë COVAX-i. Pra, me sjelljen e saj opozita tregon se i vetmi që mund të sillte dhe që i solli vaksinat në Shqipëri, është Edi Rama, sepse Shqipëria nuk është as shtet i fortë si Gjermania apo Franca dhe e vetmja mënyrë për të marrë vaksina shpejt dhe shumë, janë kontaktet personale që Edi Rama tregoi që i ka, e Luli jo.
Së dyti, kemi dy gara që po zhvillohen në formë fushatash, dhe nuk janë elektorale. Sot në Shqipëri po ndodh një fushatë e madhe vaksinimi që po kalon në 30 mijë të vaksinuar në ditë dhe një fushatë infektimi. Të parën po e bën qeveria dhe qytetarët që po besojnë në shkencë e jo në konspiracion, ndërsa fushatën e infektimit po e zhvillon Lulzim Basha dhe opozita, që në fakt po shpaloset si alternativa reale e Lulzim Bashës nëse do të ishte nesër kryeministër. Kjo është gara që po ndodh sot në vendin tonë. Janë dy qasje që tregojnë në fakt energjinë dhe vizionin e secilës palë. Në çdo rast, uroj që të fitojë jeta mbi vdekjen!