Gjermania do të rifillojë vaksinimet antiCOVID-19 të premten me vaksinën AstraZeneca, pas dritës jeshile nga rregullatori europian që e konsideron këtë vaksinë “të sigurt dhe efektive”, njoftoi sot ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
“Qëllimi ynë, qëllimi i përbashkët i qeverisë dhe 16 kryeministrave të landeve, është të rifillojmë vaksinimet me AstraZeneca gjatë së premtes” tha Spahn për gazetarët, në përpjekje për të rikthyer “besimin” në këtë vaksinë, përdorimi i së cilës u pezullua të hënën.
Pas një rishikimi të gjerë të rreziqeve të mundshme të mpiksjes së gjakut, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) vlerësoi se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe efektive.
Edhe disa vende të tjera europiane njoftuan, gjithashtu, se do të rifillojnë vaksinimet me AstraZeneca-n.