Drejtuesit e mjeteve që nuk rinovojnë siguracioni e makinave brenda 30 ditëve do të gjobiten automatikisht. Drafti me ndërhyrjet në kodin rrugor ku përfshihet edhe ky ndryshim ka mbërritur tashmë në Kuvend dhe do të nisë së shpejti shqyrtimin edhe në Komisionet Parlamentare. 10 mijë deri në 40 mijë lekë është gjoba për drejtuesit që nuk paguajnë në kohë policën e sigurimit, teksa risia që propozohet edhe ndëshkimi në mënyrë automatike, një kërkesë e hershme kjo e shoqërive të Sigurimit.
Kjo do të bëhet përmes Qendrës së Informacionit e cila njofton menjëherë organet për regjistrimin e mjeteve për zbatimin e gjobës, teksa rregullat dhe procedurat për vendosjen e saj do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshime të tjera në Kodin Rrugor kanë të bëjnë edhe me zgjatjen e afatit të vlefshmërisë për kontrollin teknik të mjeteve.
Sipas draftit, mjetet e reja në 3 vitet e para nuk do të kryejnë kolaudimin, mjetet e përdorura do ta kryejnë atë çdo 2 vjet nga çdo vit që ishte aktualisht, ndërsa taksitë, ambulancat dhe autobusët do të bëjnë kolaudimin një herë në vit, nga çdo 6 muaj që parashikonte ligji aktual.
Ndërhyrjet në Kodin Rrugor parashikojnë ashpërsim të masave për shkeljet nga drejtuesit e mjeteve që ngasin makinën nën efektin e alkoolit, përdorin celularin apo udhëtojnë mbi shpejtësinë e lejuar.
Propozimet përfshijnë përshkallëzim të gjobave e deri në heqje të lejes së drejtimit të mjeteve në rast përsëritje të shkeljeve të mësipërme.
Ndër të tjera, drafti parashikon rritje të gjobave edhe për mosvënie të rripit nga shoferi nga 5 mijë deri në 150 mijë lekë si dhe nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë në rast se nuk e ka vendosur pasagjeri.
Ashpërsim të masave propozohen edhe për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë me makina të blinduara, që në rast mospajisje me autorizim gjobiten nga 100 deri në 200 mijë lekë apo edhe konfiskim të mjetit.
Ndërhyrje parashikohen edhe në sistemin e pikëzimit të lejeve të drejtimit, pasi me humbjen totale të pikëve, mbajtësit i patentës duhet të ndjekë një kurs pranë autoshkollave të licencuara e më pas t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit.