Kryeministri Edi Rama ka përmendur sërish grumbullimet që po bën opozita në kuadër të fushatës elektorale, duke shkelur të gjitha masat anti-COVID.

Rama theksoi se opozita po jep shembullin më të keq për të gjithë qytetarët.

“Ajo që na takon është të bëjmë atë detyrë të thjeshtë të mos shkelim ligjin, të mos shkelim rregullat të mos shkelim kufirin etik të njerëzores për politikë dhe për vota duke i vënë njerëzit në rrezik dhe duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimeve absurde të papërgjegjshme që tregojnë se në fund të ditës politika nuk është çështje programesh, idesh dhe fjalësh është çështje karakteri dhe karakterin o e ke o nuk e ke, ato nuk e kanë. Opozita po jep shembullin më të keq të mundshëm, më absurd të mundshëm ndërkohë që e para gjë që duhet të bëjmë ne të japim një shembull shumë të mirë, në gjërat e thjeshta. Ne e kemi humbur trenin e historisë, pasi nuk e kemi zakon që tu kushtojmë rëndësi gjërave të vogla dhe pastaj humbim kohë pa fund në dëm të gjërave të mëdha. Kombet e mëdha fitojnë beteja me gjëra të vogla, dhe kjo është një pikë dalluese shumë e madhe. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët”, tha Rama.