Nga Mustafa Nano/

Në monologun e fundit unë pata në fokus një strategji tensioni që vihet re gjithandej dhe që u verifikua qartazi në mënyrë spektakolare gjatë Ditës së Verës, në Elbasan, ku pati një përplasje fizike midis militantëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste.

Elbasani, për arsye që unë nuk jam në gjendje t’i kuptoj, është shndërruar në një vatër tensioni, në një qendër eksperimentimi të fushatës së dhunshme elektorale. Ka disa zëra, midis tyre dhe kolegë të mi, që e shpjegojnë këtë me faktin se në Elbasan janë përqendruar disa banda që ata i quajnë kriminale, apo disa grupe të fortësh, që i janë atashuar partive, sidomos partive kryesore. Por mua ky arsyetim nuk më bind shumë.

Vetëm pardje, ndodhën dy ngjarje, ku protagonistë nuk ishin anëtarë të bandave kriminale, apo njerëz me muskuj. Ata janë njerëz të njohur të jetës publike shqiptare.

E para, ishte ngjarja ku një politikan lokal me emrin Aurel Bylykbashi, një politikan me stazh të gjatë në PD, ka publikuar pardje një letër në profilin e tij në Facebook, të cilën ia adreson Taulant Ballës, një politikan i njohur i Partisë Socialiste. Dhe në atë letër është një pasazh që mua më goditi në mënyrë të veçantë.

Pasazhin, të cilin po e riprodhoj në mënyrë besnike, thoshte: “Sinqerisht Taulant, unë nuk dua të bëj protagonistin. Por në qoftë se ti këmbëngul të më ngacmosh dhe të më provokosh, atëherë unë do të marr vendimin që të zbres në fushë… ashtu siç di unë. Dhe nuk do të merrem me askënd tjetër, por vetëm me ty!”

Mua më bëri përshtypje fraza “do të zbres në fushë”. Si një deja vú, m’u kujtua se në vitin 1994, një italian i quajtur Silvio Berlusconi, përpara se të futej në politikë tha: “Scendo in campo!”

Unë kujtova se Bylykbashi po i referohej atij. Por në fakt ai nuk i referohej S.B.-së së Italisë, por një S.B.-je një Tiranë. Dhe ky S.B.-ja i Tiranës e ka bërë të udhës të lëshojë kërcënime në adresë të njerëzve të ndryshëm, dhe disa prej tyre kanë qenë shumë të fortë e kanë hyrë në histori.

Njëri prej tyre, më i forti sipas meje, i përket janarit 2011, disa ditë pas 11 janarit të famshëm. S.B. ishte në Parlament dhe iu drejtua kryetarit të Partisë Socialiste, kundërshtarit të tij politik me fjalët: “Nëse ti përsërit atë që bëre në 21 janar, atëherë unë nuk do të merrem me asnjë tjetër veçse me ty. Do të ndëshkoj si një horr.”

Aureli dhe S.B.-ja ngjajnë si dy pika uji dhe nuk ka se si të jetë ndryshe.

Por ishte një ngjarje tjetër, po në Elbasan. Kjo e fundit ishte më e rëndë se pati për protagonistë dy njerëz shumë të rëndësishëm, njëri biznesmen i njohur, Gjergj Luca, dhe tjetri politikan e deputet në disa legjislatura, Luciano Boci, të cilët u konfrontuan fizikisht.

Unë nuk do të komentoj ngjarjen dhe nuk do të drejtoj gishtin për të gjetur fajtorin, sepse ajo është marrë në dorë nga organet e hetimit. Në këtë moment, unë dua vetëm të denoncoj reagimin e munguar të klasës politike shqiptare ndaj kësaj ngjarje.

Unë prisja që eksponentë të ndryshëm të klasës politike, qoftë edhe udhëheqës si Edi Rama dhe Lulzim Basha, apo dhe presidenti i Republikës, të shfaqeshin përpara gazetarëve dhe të drejtonin një apel për votuesit e tyre, madje dhe votuesve të palës tjetër, t’i bënin një apel gjithë popullit shqiptar, me fjalë të thjeshta, ku të shpreheshin: “Jemi në fushatë elektorale, nuk jemi në luftë. Është një fushatë që do të kulmojë më datë 25 prill dhe e gjitha kjo është një ngjarje rutinore në demokraci. Dhe ne nuk duhet ta shndërrojmë në luftë këtë fushatë.”

Por këto gjëra politikanët tanë nuk i thonë asnjëherë. Madje edhe ato pak reagime që erdhën ishin të natyrës tradicionale shqiptare, duke ia hedhur fajin palës tjetër që i kishte provokuar. Dhe e gjitha kjo është një litani që vazhdon prej 30 vitesh.

Unë mendoj që kjo retorikë, bashkë me sjelljen e politikanëve e të aktorëve publikë në përgjithësi, ka krijuar këtë atmosferë tensioni, në të cilën është e vështirë të përfytyrohet një garë normale elektorale, një ballafaqim civil politik, një përplasje alternativash, idesh dhe ofertash.

Por unë kam frikë se kjo e fundit është jo vetëm e pamundur, por është edhe e panevojshme, e dëmshme, e rrezikshme.

Këtë e them, sepse ka disa kolegë të mi të cilët e mendojnë ndryshe. Për shembull, Preç Zogaj në një shkrim të tijin, dje i bënte apel klasës politike dhe i thoshte: “Na jepni debate. Mos na lini pa debate! Debatet janë tharmi i demokracisë, dhe nëse ato mungojnë, opinioni publik dhe votuesit shqiptarë janë të fyer, sepse ata duan transparencë.”

Por unë paradoksalisht mendoj ndryshe. Është e vërtetë se debati është tharmi i demokracisë, por ne nuk kemi nevojë për këtë debat të bërë sipas mënyrës shqiptare. Ky lloj debati nuk na mungon dhe as nuk na fyen nëse mungon. Përkundrazi!

Fakti se klasa politike ka bojkotuar studiot televizive gjatë kësaj fushate elektorale është një nga lajmet më të bukur, një nga vendimet më të mira të klasës politike. Shqiptarët nuk kanë dëshirë të shohin në ekranet televizive figurat politike teksa kacafyten me njëri-tjetrin.

Madje, para disa ditësh, si të provonin këtë që sapo thashë, në një debat televiziv që ishte një përjashtim nga klima e përgjithshme, ishin dy zonja Grida Duma dhe Elisa Spiropali. Dhe që të dyja bënë një debat tipik burrash, me tone zemërake, me fyerje dhe me klithma. Ishte diçka e papëlqyeshme, dhe nuk duam që ai debat të përsëritet.

Shumë njerëz bartin shqetësimin lidhur me fushatën elektorale. Unë vet personalisht jam shumë i shqetësuar për këtë përmasë të dhunshme që ka fushata elektorale qysh në ditët e para e saj. Unë nuk besoj se jam hipokondriak. Unë nuk besoj se shoh probleme dhe sëmundje aty ku nuk ka të tilla.

Unë nuk shoh ngjyrën e zezë aty ku vetëm e bardha dominon. Unë shoh atë që shohin të gjithë, ekzistencën e një strategjie tensioni, që është bezdisëse, që na kërcënon dhe na kall datën. Dhe nën këtë strategji, krijohet një atmosferë frike, një psikozë në të cilën, ai debat që duam jo vetëm është i pamundur, por është i panevojshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm.