Interi është vënë prej kohësh në gjetjen e një zëvendësi të Samir Handanoviçit dhe ideja e fundit që ka dalë nga selia zikaltër është ajo e një juventini. Emri i ri në listën e Xhuzepe Marotës është ai i Matia Perinit, 28-vjeçarit në pronësi të Juve, i cili aktualisht luan i huazuar në radhët e Xhenoas.

Perin është një portier me shumë eksperiencë, por edhe me cilësi fantastike, duke qenë se është edhe kontingjent i Kombëtares së Italisë. Dhe pa dyshim që për Interin do të ishte një zgjedhje fantastike, ndoshta duke qenë se nga sezoni i ardhshëm, edhe Samir Handanoviç mund të ketë nevojë që të pushojë për disa ndeshje, duke parë edhe 36 vitet e tij mbi supe.

Për idenë në fjalë, as Juventusi nuk do të kundërvihej, gjithmonë nëse klubi zikaltër është gati që të plotësojë kërkesën prej 18 milionësh që kërkon për Perinin. Por Interi nga ana e tij do të provojë që ta bindë “Zonjën” duke i ofruar kartonin e mesfushorit Matias Vesino.