Deputeti i PS-së Alket Hyseni u shpreh sot në një intervistë televizive se Partia Socialiste lufton që në qarkun e Vlorës të marrë 9 mandate, duke e komentuar listën e këtij qarku si fituese. Sipas tij, edhe pse nuk është në listën e kandidatëve për këto zgjedhje, Hyseni tha se ai ka kontribute në këtë parti që para se të ishte deputet dhe do të kontribuojë edhe pasi të mos jetë më deputet. Hyseni vlerësoi kandidaten e re që kryeson listën e Vlorës si figurë e njohur në qytet.“Janë zgjedhur personalitete të spikatura të kësaj krahine, për të përfaqësuar siç duhet zonën”, tha ai.
“E para në listë, Pranvera Resulaj është zonjë e nderuar, ka treguar aftësitë e veta edhe si administratore. Ka punuar tek tatimet. Të gjitha indiciet që kanë ardhur për zonjën janë pozitive. Është edhe trend botëror, që femrat duhet të promovohen në politikë”, sqaroi Hyseni. “Objektivi minimal është tetë mandate, por luftojmë për 9 mandate”, tha Hyseni, duke theksuar se socialistët e Vlorës kanë resurse të mëdha.