Bluzat e bardha të Forcave të Armatosura u janë bashkuar kolegëve të tyre të sistemit publik shëndetësor në vaksinimin masiv të popullsisë ndaj Covid-19.Aktualisht mjekët dhe infermierët e FA janë angazhuar për vaksinimin e personave mbi 70 vjeç, në qendrën e ngritur për këtë qëllim në sheshin “Skënderbej”. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi pa nga afër procesin e vaksinimit dhe punën e infermierëve që shërbejnë në uniform ushtarake.Ministri Peleshi u shpreh i kënaqur që ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë dhe shprehu gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë jo vetëm në kryeqytet, por kudo ku ajo ka nevojë, në çdo cep të vendit.

“Me shumë dëshirë u jemi bashkuar forcave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjithë sistemit tonë të shëndetit publik me infermierët tanë të Forcave të Armatosura. Këtu aktualisht punojnë mbi 40 mjekë dhe infermierë të Ministrisë së Mbrojtjes. Jemi të lumtur që më në fund arritëm në këtë ditë të fillojmë vaksinimin masiv intensiv të të gjithë popullsisë Është një proces që nuk do të ndalet. Ne kemi bashkuar forcat me institucione të ndryshme. Sot jemi në qendër të kryeqytetit, por jemi të gatshëm që me kapacitetet e tjera, akoma rezervë që ne kemi, të shtrihemi nëpër sheshe dhe në qendrat që do të hapen në çdo qytet në rast se do të vlerësohen nga Ministria e Shëndetësisë.”- deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Angazhimi i mjekëve dhe infermierëve të Forcave të Armatosura vjen si një përpjekje për të arritur synimin ambicioz të qeverisë shqiptare për të vaksinuar të gjithë popullatën brenda pranverës së vitit të ardhshëm.