Zyrtarët shëndetësorë në Irlandën e Veriut njoftuan sot vazhdimin e vaksinimit me vaksinën antiCOVID-19 “Oxford/AstraZeneca”, sipas BBC.
“Komiteti Kombëtar Këshillues për Imunizimin (NIAC) e ka rekomanduar masën”, thanë ata. Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të BM (MHRA) njoftoi se ishte në dijeni të pezullimit në Irlandë dhe se po shqyrton nga afër raportimet.
“Por, duke pasur parasysh numrin e madh të dozave të administruara dhe frekuencën në të cilën mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm, provat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina është shkaku”, tha një zëdhënës i saj.
“Administrimi i vaksinave po bëhet nën drejtimin e ekspertëve të MHRA-së dhe programi i vaksinimit të Irlandës Veriore do të vazhdojë”, deklaroi Departamenti i Shëndetësisë i Irlandës së Veriut. “Ne kemi besim se vaksina është jashtëzakonisht e sigurt për t’u përdorur dhe është një nga aspektet kryesore të luftës sonë kundër COVID-19”, theksoi nga ana e tij kryetari i komitetit të Shoqatës Mjekësore Britanike të Irlandës së Veriut, mjeku Alan Stout.