Ish-deputeti socialist Fatmir Toçi ka humbur të vëllanë për shkak të COVID-19 në moshën 65-vjeçare. Lajmin e ka bërë me dije vetë ai përmes një statusi në rrjetet sociale. Toçi shkruan se i vëllai nuk e fitoi dot betejën me Covid duke lënë pas bashkëshorten, dy djemtë dhe vajzën.
“KUJTIMI, VËLLAI YNË I MADH, U nda nga jeta sot në orët e para të mëngjesit im vëlla, Kujtimi, 65 vjeç, duke lënë pas një dhimbje të thellë për të gjithë ne, bashkëshorten, dy djemtë dhe vajzën. Nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin,i cili duket se ja kishte vënë syrin njërit prej nesh dhe mori më të mirin, vëllain tonë më të madh. Jeta e tij qe aktive dhe një histori suksesi si ushtarak i përkushtuar, por e vështirë në prag të moshës së tretë për shkak të një aksidenti të rëndë automobilistik, rëndimit të gjendjes shpirtërore dhe, së fundi nga virusi i pabesë që ka tronditur gjithë njerëzimin.
Vdekja e njeriut tonë të dashur është tjetër shembull i qartë dhe një thirrje për domosdoshmërinë e rritjes së kujdesit ndaj vehtes dhe domosdoshmërinë e zbatimit me rigorozitet të masave parandaluese mbrojtëse. Hunbja e njerëzve tanë të dashur, rritja e frikshme e numrit të të prekurve dhe viktimave duhet të jenë një kambanë e fortë alarmi për seicilin prej nesh në jetën e përditëshme. Për shkak të situatës së rëndë pandemike dhe respektimit të masave mbrojtëse ceremonia mortore do të jetë familjare dhe e rezervuar në varrezat e qytetit të Kavajës, sot në orën 14.00.”