*Reflektim nga Dr. Elona Cekani në bashkëpunim me Dr. Erjon Panajotin dhe Dr. Nertila Tahirin
Ta fillojmë me faktin e pamohueshëm që jemi në mes të një pandemie botërore. Të gjithë ata që mendojnë që kanë të drejtën e zgjedhjes e kanë shumë gabim. Nuk mundesh të kesh kapriço në kurriz të jetës së tjetrit. Liria ime mbaron aty ku fillon e jotja. Çdokush ka të drejtën të jetojë dhe askush s’ka të drejtë të më marrë jetën mua. Pastaj, e dini ju që shkenca nuk është demokratike?*(R. Burioni) Shkenca s’ka qenë dhe s’ka për të qenë kurrë demokratike. Shkenca nuk është muhabet kafeneje, e bën si të duash dhe e vërtit si të duash. Ka rregulla të ngurta funksionimi, prodhimi, implementimi, monitorimi dhe survejimi. Nuk zgjedh dot në shkencë. Është kështu dhe pikë.
Por çfarë po ndodh me shkencën dhe vaksinimin anti-Covid në botë sot? Bëj një parantezë dhe them ‘shkenca nuk është demokratike por pikërisht se është e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme, mbetet arma më e fortë në duart e të fortëve’.
Siguria e vaksinave Covid: është e qartë që vaksinat kundër koronavirusit janë të sigurta dhe efektive por sa më shume kalon koha aq më shumë studiohen efektet anësore në popullatë. Jemi akoma në fillim të vaksinimit. Studimet mbarëbotërore që pritet të vijojnë do të na sjellin të dhëna enorme në trialin më të madh që është bërë ndonjëherë në historinë njerëzore. Fillimisht të dhënat do të jenë në platformë survejimi dhe me pas, pas investigimit dhe filtrave përkatës do e kemi panoramën më të qartë.
Çfarë kuptimi ka kjo? Në të tilla platforma regjistrohet gjithçka që ndodh menjëherë pas vaksinës (simptoma banale deri ne vdekje), më pas bëhet investigimi i këtyre të dhënave dhe përcaktohet ekzaktësisht çfarë lidhet me vaksinën dhe çfarë jo.
NDAJ ESHTE SUPER E NEVOJSHME TË PRESIM TË LLOGARITEN ‘EXCESS REPORTS’ NGA SPECIALISTET LIDHUR ME EVENTET SPECIFIKE PARA SE TË NXJERRIM TË DHËNA EKZAKTE.
Për ta kuptuar sa mjegullnaje dhe e dëmshme është të marrësh vendime të nxituara pa u thelluar mirë në historinë e fakteve po ju sjell shembujt e të shumë përfolurës Astra Zeneka dhe vaksinës Pfizer që njihni të gjithë në Shqipëri.
1. Astra Zeneka: deri në 10 mars të 2021 janë vaksinuar 5 milionë persona dhe janë raportuar 30 raste me trombozë për të cilat nuk është vërtetuar akoma nëse ka qenë vaksina apo diçka tjetër që ka shkaktuar trombozën.
Pra 30 raste në 5 milionë i bie 0.0006% persona ka rrezik për të bërë trombozë nga kjo vaksine në rreth një muaj (që është koha që ka nisur vaksinimi me këtë vaksinë).
2. Pfizer-Biontech: Në Francë në periudhën nga 12.02.2021-18.02.2021, pra për një javë janë vaksinuar me vaksinat Pfizer-Biontech, Oxford-Astra Zeneca dhe Moderna 3.513.000 persona në total. Vetëm për vaksinën Pfizer-Biontech janë raportuar 5331 raste që kishin efekte anësore nga të cilat 80% efekte joserioze dhe 20% efekte serioze. U vu re se 12 pacientë kishin bërë tromboemboli pulmonare (TEP) dhe 17 trombozë të venave të thella. Pra 29 raste në rreth një javë dhe kuptohet që në më pak se 3 milionë vaksinime.
Kolegu im Dr. Panajoti me të drejte pyet: si ka mundësi që bëhet zhurmë për vaksinën Oxford-Astra Zeneca që raporton 30 evente trombotike në 5 milionë vaksinime për mbi një muaj ( update i fundit 37 evente trombotike në 17 milionë vaksinime), ndërkohë që nuk raportohen dhe nuk bëhen problem 29 evente trombotike në një javë, në një shtet dhe në më pak se 3 milionë vaksinime (pasi 3,513 milionë është numri total i të vaksinuarve nga 3 vaksina)?
Çfarë duhet të bëjmë me këto vaksina? T’i pezullojmë të gjitha e në djall të vejë jeta jonë? Si të jetë shkruar…?! Sa për dijeni, edhe sikur këto të dhëna ta kishin kaluar filtrin e investigimit dhe t’i marrim të mirëqena si fakte: 1- Tridhjete raste në 5 milionë i bie 0.0006%(6/10000 persona) ka rrezik për të bërë trombozë nga kjo vaksinë në rreth një muaj (që është koha që ka nisur vaksinimi me këtë vaksinë)
-Fakt: normalisht 1 në 1000 persona në një vit mund të bëjnë trombozë, ose 1 në 12000 persona në një muaj. Edhe pse nuk është vërtetuar akoma nëse vaksina ka shkaktuar trombozën i bie që në këta 5 milionë persona të vaksinuar prej më shume se një muaji, duhet të pësonin trombozë në një muaj rreth 420 prej tyre. Pra i bie që kemi më pak raste të raportuara e ndoshta vaksina i ka mbrojtur edhe nga tromboza, por kjo është temë tjetër…
– Për të kuptuar më shumë që rreziku është pothuajse inekzistent po ju japim disa shembuj të thjeshtë:
a. Rreziku për të të zënë rrufeja është 1 në 3000 persona. b. Rreziku për të humbur jetën një motoçiklist është 1 në 899 persona. c. Rreziku për të humbur jetën një çiklist është 1 ne 3825 persona. d. Rreziku për të bërë një aksident me makinë pas 1000 miljesh udhëtim është 1 ne 366 persona
Por pse gjithë kjo potere mediatike/politike/strategjike -quajeni si të doni? Italia pezulloi AstraZeneca deri në verifikim të eventeve dhe gjetjen e një korrelacioni të drejtpërdrejtë me vaksinën.
Sot Gjermania, po ashtu Franca, Holanda, Norvegjia dhe më pas duke bërë një kapërcim diplomatik sipër Suedisë edhe Danimarka e pezulloi. Që ta keni të qartë, është super normale të pezullohet një medikament/vaksine nëse ka raportime për efekte anësore. Kjo është rregullorja dhe do ishte çudi të kishim dalë përtej rregullave të mirëpërcaktuar shumë më herët vetëm sepse jemi në pandemi.
Çfarë luhet këtu dhe perse ky vendim gjithëpërfshirës dhe gati-gati unanim? Nga njëra ane është vaksina Oxford-Astra Zeneca bashkëpunim mes Universitetit të Oxford dhe kompanisë farmaceutike anglo-suedeze Astra Zeneca. Jo pa qëllim vazhdon vaksinimi me këtë vaksine në Suedi, ndërkohë që në gjithë vendet e tjera Skandinave vaksinimi me këtë vaksinë është ndërprerë.
2. Pfizer- Biontech është bashkëpunim amerikano-gjerman. Gjithë vendet gjermanofile si Danimarka, Islanda apo Norvegjia, ndryshe nga Suedia kanë ndërprerë përdorimin e kësaj vaksine deri në përfundim të hetimeve. Më pas kësaj nisme sipas efektit domino i janë bashkuar edhe shtete të tjera.
3. USA nëpërmjet FDA (agjencia amerikane e barnave) ka miratuar për përdorim vetëm vaksinat amerikane si Moderna, Johnson and Johnson apo Pfizer-Biontech dhe vonon miratimin për përdorim të vaksinës anglo-suedeze Oxford-Astra Zeneca. Por ç’na duhen ne si mjeke këto të dhëna? Hiç asgjë ne fakt. Ne na duhet shkenca dhe ajo që sjell shkenca. Të bëjmë sikur nuk e kuptojmë që kompania farmaceutike do jetë shtylla ekonomike më e rëndësishme e një shteti apo vendi në këtë shekull e ndoshta në vazhdimësi. Të bëjmë sikur s’kuptojmë që strategjia gjeopolitike dhe ekonomike e një vendi evropian apo me gjerë sot varet ngushtësisht nga suksesi i biznesit me fantastik dhe me fitimprurës i këtij shekulli, vaksinat. Ne si mjekë por edhe pacientëve tanë na interesojnë pak gjera:
OBSH: Vazhdoni të përdorni vaksinën AstraZeneca! 1. Efektshmëria e vaksinave : Astra Zeneca tregoi që parandalon 100% vdekshmërinë nga Covid-19. Nga të dhënat që vijnë nga Anglia (banka më e madhe e të dhënave për këtë vaksinë sot ku aktualisht janë vaksinuar 11 Milionë pacientë) nuk ka asnjë event fatal të raportuar. Ndërkohë, për fatin e mirë, edhe pse tashmë është konfirmuar që varianti anglez jo vetëm rrit transmetueshmërinë por rrit dhe mortalitetin me 50 % më shume, është që ky mortalitet është i bllokuar 100 % në rastin e të vaksinuarve nga AstraZeneca. E kur t’ju përmendin risk trombozash herën tjetër nga vaksina covid, që po jua rikujtoj me të dhëna të pa investiguara dhe të pakonfirmuara, është 0.0006 % , kujtohuni që vdekshmëria nga sëmundja e shkaktuar nga Sars- cov 2 është aktualisht në rendin nga 2-4% .
Asnjë nga vdekjet e ndodhura deri më sot të pacientëve të vaksinuara nuk i është atribuuar vaksinave nga OBSH , pasur parasysh këtu edhe faktin që shumë prej të vaksinuarve janë mosha të treta dhe me komorbiditete, sërish s’ka vdekje nga vaksinat. OBSH pas efektit domino të ditës se sotme në vendet europiane doli me deklaratën që:
‘S’kemi asnjë evidencë që Oxford- AstraZeneca shkakton evente trombotike’. Të enjten pritet të mblidhet EMA(european medicines agency‘) në një takim të jashtëzakonshëm lidhur me pezullimin që iu bë AZ nga vendet europiane. Ndërkohë mendimi im personal:
Vaksinimi është detyrim dhe e drejtë e pakundërshtueshme në mes të një pandemie botërore. Deri tani asnjë event fatal nuk i është atribuuar asnjërës prej vaksinave të miratuara. Vdekjet nga sëmundja e shkaktuara nga Sars -CoV 2 janë 6.66 herë më shumë sesa nga një trombozë e presupozuar nga vaksina.
Efekte anësore mund të ketë edhe një paracetamol, një gotë raki apo një çokollatë që hani sonte, por mbani në mend që mos bërja e vaksinës sjell shumë më tepër dëme akute, dëme afatgjate që akoma nuk i njohim dhe ajo që është më e rëndësishmja, sjell vdekjen tuaj, të familjarit tuaj, të personave që janë më të brishtë e më të dobët se ju.
*Shkenca nuk është dhe kurrë s’ka për të qenë demokratike!* Të mësojmë të besojmë në institucionet shëndetësore dhe të bëhemi qytetare të denje jo vetëm për veten, familjen por edhe për përgjegjësinë civile që na takon në këtë botë.