Me mbërritjen e sasisë prej 38 400 doza nga “AstraZeneca” mbrëmjen e djeshme, sot ka nisur vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve në Tiranë.Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja Manastirliu dhe Dr. Silva Bino, ndodheshin në shkollën “4 Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit.

Rama tha se tashmë synohet vaksinimi masiv i popullatës, ndërsa njoftoi edhe mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës anti-Covid, me synim edhe vaksinimi i policinë si edhe ushtrisë me qëllim goditjen e gjithë zinxhirit që ka më shumë kontakte.

“Ne duam që sa më shpejt t’ju nxjerrim ju nga ky shqetësim”, tha Rama. Jemi afër një lajmi të madh. Dhe pak ditë do të sjellim një sasi tjetër të konsiderueshme dhe sfida është vetëm vaksinimi për të filluar intensivisht me të moshuarit, policinë, ushtrinë ata që kanë ndërveprim. Pra të godasim të gjithë zinxhirin që ka më shumë kontakte”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama sqaroi situatën me informacionet që qarkullojnë se vaksina AstraZeneca është e dëmshme. Rama sqaroi se sasia prej 38 mijë e 400 doza që ka marrë Shqipëria ka ardhur nga Suedia dhe se është një seri e sigurtë.