Ish-kryeparlamentarja Jozofina Topalli në zgjedhjet e 25 prillit do të vijë me një forcë të re politike, të quajtur Lëvizja për Ndryshim.

E ftuar në “Real Story”, ajo u ndal tek ideologjitë e partive. Sipas saj, e djathta nuk ekziston në Shqipëri.

Ajo theksoi se edhe Partia Demokratike, e cila njihej si një parti e qendrës së djathtë, e ka zbehur së tepërmi këtë nocion.

“Unë besoj se një ndër betejat e tyre të para në betejën politike, ka qenë beteja për karrigen e kryetarit, sepse në karrigen e kryetarit kanë ecur në agjendat profesionale. Fillimisht në vitet ‘20 kanë qenë Zogu nga njëra anë dhe Noli nga ana tjetër. Më pas ka qenë Balli, e të tjerat. Më pas faktikisht nuk ekzistonte asgjë. Diktatura kishte bërë të vetën dhe u krijua PD, që ishte e qendrës së djathtë. Edhe ata që mbështetën forcën e PD si lëvizje, që donin të drejta, integrimin, e më pas shkoi drejt formësimit të një force politike. Sot nuk kemi një të djathtë, edhe qendra e djathtë është zbehur shumë. Ndaj edhe forcat politike duan reformimin. Lëvizjet e reja kanë një objektiv të caktuar, por synojnë një reformim të skeptrit në përgjithësi. Debati mes të majtëve dhe të djathtëve ndodh edhe në arenat ndërkombëtare”, tha Topalli.