Drejtuese politike e PS për Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, vazhdon turin e saj të takimeve elektorale me qytetarët e Qarkut Tiranë. Ministrja Spiropali shprehet se Partia Socialiste e meriton një mandat të tretë për të vazhduar me punët e nisura, duke nisur nga rindërtimi dhe projektet infrastrukturore, tek rritja e pagave dhe pensioneve, modernizimin e infrastrukturës arsimore, etj. “Siç ju jeni këtu burra të besës te lagjja e Tropojanëve edhe unë jam një grua e besës. Se njeriu nuk ndahet në gjini po për cilësinë e karakterit që ka. Nuk do lodhemi, dhe nuk do mërzitemi deri sa punët ti mbyllim ashtu siç duhet.” – u tha ministrja gjatë takimit me banorë të lagjeve Dardania dhe Dragobia, ose siç ndryshe e quajnë lagjja e Tropojanëve.

“Ne, në këtë 1 vit e gjysëm në bashkinë e Kamzës kemi dëshmuar me fakte se dimë të punojmë. Kopshtet, shkollat dhe çerdhet që po ndërtohen sot në Kamëz janë nga më të mirat në Shqipëri. Do ndërtohen plotë 23 të tilla të reja.” – shtoi ministrja. “Sipas raporteve bashkia Kamëz ka qënë më e keqeverisura ndër gjithë bashkitë e vendit. Kanë menduar për vete, për partinë e tyre e jo për të ardhmen e Shqipërisë. A thua se e kishin tapinë e vet Kamzën.” – u shpreh Spiropali.

Kandidatja për zgjedhjet e 25 Prillit, Elisa Spiropali, mban numrin 9 në listën e Tiranës për Partinë Socialiste dhe do të përfaqësojë në parlementin shqiptar bashkinë Kamëz.