Marrja e përgjigjes online me vulë e nënshkrim elektronik, për çdo aplikim që kryhet përmes portalit e-Albania, mbetet objektiv i mandatit të ardhshëm qeverisës.
Ky ishte mesazhi i përcjellë në vijim të prezantimit të programit të Partisë Socialiste, nga kryeministri z.Edi Rama, i cili, duke folur për shërbimet ndaj qytetarëve dhe biznesit, theksoi se, në vetëm shtatë vite, digjitalizimi i thellë i shërbimeve të institucioneve ka rritur besimin e publikut dhe ka përmirësuar ndjeshëm komunikimin me zyrat e shtetit.
Edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, e pranishme në prezantim, si përfaqësuesja e institucionit kyç në Shqipëri për zhvillimin digjital, u shpreh se shumë shpejt do të bëhet e mundur që çdo shërbim të jepet me vulë elektronike, me përgjigje direkt online, për të gjitha aplikimet në portalin e-Albania.
“Plani ynë i veprimit për vitet e ardhshme do garantojë një vend më të drejtë, një ekonomi më të zhvilluar, një të ardhme më të sigurt. Tani që kemi investuar kaq shumë në trajnimin e administratës, në infrastrukturë, në digjitalizim, në rrjete të sigurta e përmirësim sistemesh që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, nuk mund të rrezikojmë të kthehemi te radhët dhe korrupsioni. e-Albania është investimi më i madh teknologjik mbështetur fuqimisht nga vizioni i kryeministrit Rama dhe besimi i tij i vazhdueshëm për gjithë procesin e digjitalizimit,” u shpreh znj.Karçanaj.
Duke radhitur një pas një, të gjitha arritjet e-Albanias në shtatë vitet e fundit, drejtuesja e AKSHI-t, përmendi rritjen e madhe të numrit të shërbimeve elektronike, përfitimin në kohë reale me vulë elektronike të dokumenteve, certifikatave e vërtetimeve dhe aplikimin në kohë të shpejtë për qindra procedura të ndryshme. Mbi të gjitha, reagimin e saktë e të frytshëm në kohë tërmeti e pandemie, dy sprova të fuqishme, që siguruan qytetarët dhe biznesin se e-Albania është mundësia e vetme dhe e sigurt për komunikimin e drejtpërdejtë me institucionet shtetërore.
“Sot ne kemi 1207 shërbime elektronike në e-Albania. Kishim vetëm 50 mijë të regjistruar në platformë, sot janë 1.88 milionë qytetarë dhe biznese; 7.7 milionë aplikime të kryera prej tyre pa ecejake, pa sorrollatje, pa lekë nën dorë, pa lloj-lloj letrash e tarifash që kërkoheshin nga xhepat e qytetarëve. Rritja e shërbimeve online u kurseu qytetarëve 472 vite pritje në radhë dhe rreth 4 milionë euro”, theksoi kreu i AKSHI-t.
Për biznesin, – tha znj Karçanaj, – çdo veprim kryhet me një ndalesë online në platformë, ndërkohë që procesi i fiskalizimit, që është në vazhdë e sipër, do të sigurojë raportimet në kohë reale.
Pa harruar emigrantët, të rinjtë, pensionistët, fermerët, personat më aftësi të kufizuara, të papunët, personat në nevojë për ndihmë e kujdes mjekësor, e-Albania – shtoi më tej znj. Karçanaj, – bëri të mundur që Shqipëria sot të ketë një tjetër realitet, të vlerësuar nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si DASH, OECD, BE, ReSPA, etj.
Drejtorja e AKSHI-t, njoftoi edhe se në planin e veprimit për vitet e ardhshme do të digjitalizohen më tej arkivat fizike të institucioneve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve online dhe kursimin e kohës dhe parave.