Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që maturantët do të kthehen në klasa dhe nuk do të bëjnë më mësim online. Ndërsa në lidhje me masat e tjera vijojnë të mbeten ende në fuqi edhe për një javë tjetër të pandryshuara.
“Prandaj mendojmë që masat të propozuara për t’u rishikuar në afatin që u la në mbledhjen paraardhëse të rishikohen përsëri në atë afat. Me përjashtim të faktit që duke u bazuar në shifrat e infeksionit SARS-COV 2 në grupmoshën 15-20 vjeç dhe sidomos duke marrë parasysh rezultatet impresionuese që janë arritur me vaksinimin masiv, sidomos tek arsimtarët, në kushtet e momentit që zhvillohet viti akademik, maturat të fillojnë mësimin në klasë. Natyrisht që është një masë, vijimësia e të cilës do të kushtëzohet nga një monitorim shumë i kujdesshëm i shifrave gjatë kohës që këto matura do të jenë të hapura. Maturat duhet të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni SARS-COV2.
Masat e tjera do të mbeten njëlloj, siç është ora policore, nga ora 20:00-06:00. Baret e restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe njëkohësisht mësimi do të vazhdojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor. Fluturimet me Britaninë e Madhe do të vazhdojnë të jenë mbyllura deri në vlerësimin e dytë të të gjitha këtyre masave nga Komiteti i Eksperëve”, deklaroi Rakacolli.