“Exxon Mobil”, kompania më e madhe amerikane në fushën e hidrokarbureve dhe një kompani që prej vitit 1955 ka kryesuar vazhdimisht renditjen e kompanive më të mëdha në SHBA dhe në botë mbërrin në Vlorë. Lajmi u bë i ditur në një takim virtual midis Kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të “Exxon Mobil” në Hjuston, Teksas. Marrëveshja e firmosur parashikon ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm amerikan, që nga Vlora më pas do të shpërndahet në të gjithë rajonin. Me këtë tërminal, Shqipëria fiton një rëndësi të posaçme jo vetëm për kompaninë, por edhe në kuadër të bashkëpunimit strategjik midis vendit tonë dhe SHBA-ve.

Gjithashtu, “Exxon Mobil” ka marrë përsipër konvertimin e termocentralit aktualisht jashtë pune të Vlorës, duke ndërruar teknologjinë e tij nga nafta në gaz. Përmes këtij konvertimi ulen në mënyrë drastike kostot dhe termocentrali do të mund të nisë prodhimin e energjisë për herë të parë që prej vitit 2002. Të dy këto projekte pritet të garantojnë disa mijëra vende pune direkte dhe indirekte në qytetin e Vlorës. Marrëveshja me “Exxon Mobil” vjen vetëm pak muaj pasi qeveria shqiptare firmosi një tjetër kontratë me një kompani amerikane, për ndërtimin e HEC-it të Skavicës, hidrocentrali më i madh që do të ndërtohet që prej ngritjes së Fierzës, 50 vjet më parë. Dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të mirë në kuadër të tërheqjes së investitorëve të mëdhenj të huaj në fushën e energjisë.

Aktualisht, “Royal Dutch Shell” është duke zhvilluar eksplorime për naftë në zonën e Shpiragut në Berat, koorporata italiane “ENI” është gjithashtu duke zhvilluar eksplorime, ndërsa konglomerati francez “Volt Alia” ka nisur punën për ndërtimin në Karavasta të parkut më të madh me energji diellore në rajon.