Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Erion Veliaj dhe Ulsi Manja kanë vizituar familjen e Arjan Salës, 32-vjeçarit që humbi jetën pasi shpëtoi jetën e disa punëtorëve në magazinën që u përfshi nga flakët.

Fillimisht, Rama u takua me babain e të ndjerit, i cili tha: “Nuk më hiqet asnjë sekondë nga mendja. Nxori çfarë kishte për të nxjerrë, u fut për të parë a ka gjë brenda, ngeli brenda.”

Ndërsa kryeministri e ngushëlloi duke i thënë: “Fjalët janë të tepërta por duhet të jemi krenarë sepse ka shpëtuar shumë njerëz. Ka bërë vërtetë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë. Natyrisht që jeta nuk ka çmim, nuk kthehet, sidoqoftë ne mendojmë që është detyra jonë që ta nderojmë e ta vlerësojmë dhe vendosëm që ta shpallim dëshmor.”

Rama foli me nënën dhe bashkëshorten e Arjan Salës, duke i thënë se duhet të jenë krenarë se ka shpëtuar shumë njerëz. “Do të mbështesim me sa të kemi mundësi familjen e tij. Vendosëm që t’i japim dhe një shumë familjes. Të gjitha këto janë më shumë për respekt se sa bëjnë ndonjë ndryshim. E ëma duhet të jetë keq… Ta rroni e ta kujtoni gjithmonë. E di që është e tmerrshme, se imagjinoj dot, por duhet të jeni shumë krenar se ka shpëtuar shumë njerëz. Do ishin shumë familje e shumë nëna duke qarë, por fatkeqësisht të mbeti vetëm ty. Sidoqoftë, duhet të jeni shumë krenarë.

Mbaj mend historinë e hallës së tim eti, djalin ja vranë pas luftës për arsye pa lidhje, ja pushkatuan. Nuk harroj kur shkonim tek shtëpia e saj për t’i uruar vitin e ri dhe kur vinte viti i ri, ndizte qiri dhe ishte me të birin për 30 vite. Nëna është e dënuar të ketë dhimbjen më të madhe e të pangushëllueshme. Trim e kanë bërë zemra dhe edukata që i keni dhënë”, tha Rama.