Duhet të ishte viti i ndryshimit, por listat e PD janë të mbushur pothuajse eksluzivisht me persona që janë katapultuar në politikë nga Sali Berisha dhe që kanë humbur në mënyrë konstante nga viti 2013 e mbrapa, në total 5 palë zgjedhje.
Nëse në Partinë Socialiste, nga 12 kryetarët e Qarqeve 10 janë gra dhe 7 prurje të reja në politikën shqiptare, nga 12 kryetarët e PD të gjithë kanë qenë deputetë dhe gjysma prej tyre kanë mbajtur poste të rëndësishme në kabinetet e drejtuara nga ish-Kryeministri Berisha.
Duke i marrë të gjithë së bashku, kryetarët e PD kanë shërbyer 138 vjet në Kuvendin e Shqipërisë, mesatarisht 12 vjet secili.
Mes tyre janë në total 11 ish-ministra, si dhe një zëvendëskryeministër.
Duke e nisur nga kryetari i Qarkut Tiranë, njëherazi i Partisë, Lulzim Basha. Shërben si deputet që prej vitit 2005, me ndërprerjen e vetme në periudhën kur ishte kryetar Bashkie. Tre herë ka shërbyer si ministër, i Jashtëm, i Brendshëm dhe i Transportit.
Oerd Bylykbashi, ish-shefi i kabinetit 2009-13 të Berishës kryeson Durrësin. Ka shërbyer si deputet që prej 2013-s pa ndërprerje.
Romeo Gurakuqi kryeson Shkodrën. Shërben prej vitit 2017 dhe kandidon për legjislaturën e tij të dytë.
Edmond Spaho, i pari në Elbasan, ish-Ministri i Turizmit që shërben si deputet prej 16 vitesh.
Agron Shehaj, milioneri i ardhur nga bota e biznesit, i pari në Vlorë shërben që prej vitit 2017.
Enkelejd Alibeaj, prej 16 vitesh deputet dhe ish-Ministër i Drejtësisë kryeson Fierin.
Valentina Duka, e para në Korçë kërkon legjislaturën e saj të dytë.
Eduard Halimi, ish-Ministër Drejtësie, prej 12 vitesh deputet kryeson Beratin.
I pari në Lezhë, Aldo Bumçi, prej 16 vitesh deputet dhe dy herë Ministër, një herë i Turizmit dhe Sportit, herën tjetër i Jashtëm.
Flamur Noka, prej 2009-s deputet, njeriu që Sali Berisha i besoi në mandatin e tij të dytë ministrinë e Brendshme.
Dhurata Çupi në Dibër kërkon legjislaturën e saj të dytë.
Tritan Shehu, rekordmen. I pari i Gjirokastrës është deputet prej 26 vitesh, nga viti 1991 me ndërprerjen e vetme të legjislaturës 13-17. Ish-zëvendëskryeministër dhe ish-Ministër i Shëndetësisë./LEXO.AL