Gjeorgjina Kuli, nga Komiteti i Vaksinimit, deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 se vaksinat ruse dhe kineze “janë të aprovuara nga agjencitë e vendeve përkatëse, të cilat janë agjenci të rëndësishme, që kanë historik shumë të mirë në përgatitje medikamentesh dhe vaksinash”.

“Të gjitha vaksinat që janë në treg janë shqyrtuar me kujdes. E para që u bë gati për t’u aplikuar ishte vaksina e Pfizer-it, prandaj dhe nisën negociatat për dozat e para të kësaj vaksine. Duke parë ngërçet në tregun e vaksinimit për Evropën, pamë të gjitha hapësirat e mundshme për të shqyrtuar nga ana teknike mundësinë për aplikimin e sigurt dhe efikase të vaksinës. Ne merremi me detajet teknike dhe i kemi dhënë miratimin tonë Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinat kineze dhe ruse. Janë vaksina të aprovuara nga agjencitë e vendeve përkatëse, të cilat janë agjenci të rëndësishme, që kanë historik shumë të mirë në përgatitje medikamentesh dhe vaksinash. Shumë vende evropiane kanë bërë marrëveshje për këto vaksina”, tha Kuli.

Vaksinat ruse dhe kineze, Kuli: Janë të aprovuara nga agjencitë e vendeve përkatëse – A2 CNN

Kur u pyet nëse vaksina do të jetë me detyrim, Kuli theksoi se me detyrim është vetëm ruajtja e shëndetit publik: “Vaksina nuk do të jetë me detyrim, madje vihet re një mbështetje e madhe e vaksinimit në vendin tonë. Gjithmonë kemi pasur një traditë të mirë me vaksinat. Deri tani, nuk janë vënë re kundërshtime nga ana e personave të cilëve u është ofruar vaksina. Vaksina nuk është e detyrueshme, por e detyrueshme është ruajtja e shëndetit publik. Nëse një personel shëndetësor bën një veprim që kërcënon jetën dhe shëndetin e tjetrit, duhet të mbajë përgjegjësi. Ai person duhet të jetë i bindur që vaksinimi nuk ka të bëjë me veten e tij, por me qindra pacientë me të cilët do të ketë kontakt”.