Nga Besart Mataj/ Ka një rregull të pashkruar që të paktën në tre zgjedhjet e fundit parlamentare është vërtetuar. Ajo parti apo ai koalicion që ka marrë shumicën e mandateve në qarkun e Tiranë, të nesërmen e zgjedhjeve ka qeverisur dhe Shqipërinë.
Në ndihmë të kesaj teze na vijnë shifrat të cilat janë të ftohta dhe nuk gënjejnë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, Aleanca për Ndryshim e udhëhequr nga Partia Demokratike së bashku me LSI në koalicion pazgjedhor morën në qarkun Tiranë 17 mandate, të ndara përkatësisht 15 mandatë për PD, 1 mandat për PR, 1 mandat për LSI. Koalicioni Bashkimi për Ndryshim udhëhequr nga Partia Socialiste mori vetëm 15 mandate nga 32 të mundshmet. PD dhe LSI qeverisën vendin për 4 vite deri në vitin 2013.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të vërtetonin edhe njëherë që kush fiton Tiranë, qeveris Shqipërinë. Pas 8 vitesh në pushtet të Partisë Demokratike, po aq vitesh në opozitë të Partisë Socialiste dhe 4 vitësh në pushtet të LSI, kjo e fundit vendosi që në zgjedhjet e 2013 të dilte në koalicion me Partinë Socialiste. Në qarkun e Tiranës PS mori 16 mandate, PD 11 mandate, LSI 3 mandate, PR 1 mandat, PDIU 1 mandat, duke kompletuar kështu shpërndarjen e 32 ulëseve në Kuvendin e Shqipërisë që dilnin nga qarku më i madh i vendit. Partia Socialiste rikthehet në pushtet pas 8 vitesh në opozitë dhe mandatet e qarkut të Tiranës i dhanë një dorë të madhe në sigurimin e mandateve të nevojshme për të qeverisur vendin.
I njejti rregull vërtetohet edhe në zgjedhjet e 2017 ku Partia Socialiste fiton 18 mandate në qarkun Tiranë, LSI merr 5 mandate, ndërsa PD ruan 11 mandatet që kishte në vitin 2013. Rritja e Partisë Socialiste ishte e dukshme çka bëri që të siguronte 50% +1 mandate duke mundësuar qeverisjen e vetme pa asnjë parti në koalicion.
Kur na ndajnë diçka më shumë se një muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare, sondazhe të shumta po kryhen në nga kompani të ndryshme prestigjioze në vend për të parashikuar rezultatin e tyre. Me marzhe të vogla ndryshimi, një gjë i bashkon të gjitha këto sondazhe: Partia Socialiste pritet që të marrë të paktën gjysmën e mandateve në qarkun e Tiranës ose minimalisht 18 nga 36 mandatet e mundshme.Partia Socialiste po kërkon votën e shqiptarëve për një mandat të tretë për të qeverisur duke e konsiduar një mandat historik. Partia Demokratike po kërkon votën e shqiptarëve për t’u rikthyer në pushtet pas 8 vitesh në opozitë. LSI po ashtu nuk mund të qëndrojë më shumë kohë larg pushtetit.Të treja forcat kryesore politike në vend e kanë të qartë që fitorja në qarkun e Tiranës u shtron rrugën drejt qeverisjes së Shqipërisë. Prandaj dhe fushata në Tiranë pritet të jetë me e ndezur, me figurat kryesore të partive politike që do të përpiqen të fitojnë besimin votuesve për të vijuar qeverisjen ose për t’u rikthyer në pushtet.
Tirana vendos kush do të qeverisë Shqipërinë!