Pandemia e koronavirusit rrezikon të nxisë edhe këtë ndalesa apo kufizime për organizimin dasmave, mbrëmjeve festive e ahengjeve të ndryshme familjare në Maqedoninë e Veriut.

Por, sektori i gastronomisë, përkatësisht drejtuesit e restoranteve dhe objekteve të hotelerisë, kërkojnë lehtësimin e masave për organizimin e manifestimeve, duke respektuar masat për mbrojtje nga pandemia.

Marija Sinadinovska Arsovska nga Shoqata e Restoranteve, thotë se humbjet nga mbyllja e këtij sektori, gjatë vitit të kaluar, janë të mëdha, dhe në rast se ndalesat vazhdojnë dhe këtë vit, atëherë përfundimisht do të detyrohen t’ua vënë çelësin objekteve të tyre, ndërsa pa punë do të ngelen mbi 6,000 persona.

“Ne kërkojmë që të paktën të punojmë me kapacitet të përgjysmuar. Nëse një restorant ka vende për 500 persona, ai mund të organizojë manifestime edhe me 250 persona. Do të respektojmë të gjitha masat për mbrojtje nga infektimi, do të ketë distancë mes mysafirëve dhe estradës muzikore, distancë mes vetë mysafirëve, kushtet higjienike do të jenë në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Shërbimi i ushqimit dhe pijeve do të bëhet nga personeli me maska e kritere tjera të përcaktuara me protokollet për punë. Do të ketë ajrosje të hapësirave, e kështu me radhë”, thotë Arsovska.

Qëndrim Zeneli, pronar i një restoranti në Tetovë, thotë se nuk është e drejtë që kafenetë dhe bizneset tjera të punojnë, madje me kapacitet të plotë, dhe në anën tjetër të ndalohet puna e restoranteve për organizimin e manifestimeve familjare.

“Nuk është e drejtë, nuk është morale, nuk është etike që shumica të jenë të mbyllur ndërsa të tjerët të punojnë. Kohëve të fundit këtu në Tetovë ka pasur shumë dasma dhe kanë punuar vazhdimisht ata që kanë lidhje me pushtetin, apo ndonjë parti”, thotë Zeneli.

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe punonjësit e estradës muzikore, të cilët për shkak të masave kufizuese kanë ndërprerë aktivitetet e tyre.

“Shteti është treguar i padrejtë ndaj një pjese të gastronomisë dhe artistëve. Të gjitha bizneseve tjera u është mundësuar që të funksionojnë ndërsa ky sektor nuk është aktiv. Siguria është më e madhe te një mbrëmje familjare sesa te një fushatë politike. Partitë organizonin tubime, duke mbledhur mbi 5,000 apo më shumë persona kurse në një dasmë kemi 200 persona”, deklaron Bajramali Idrizi, këngëtar.

Zyrtarë qeveritarë kanë thënë se i kuptojnë shqetësimet e këtij sektori, por edhe të bizneseve tjera, duke rikujtuar edhe masat që janë ndërmarrë për të zbutur sadopak humbjet përmes subvencioneve apo edhe lirimet tjera për taksat.

Megjithatë, për shkak të vonesave në vaksinimin e popullatës dhe rritjen e numrit të personave të infektuar me variantin britanik të koronavirusit, autoritetet po mendojnë seriozisht për vazhdimin e masave, që ndalojnë restorantet të organizojnë manifestime me numër më të madh të klientëve.

“Deri më tani, Qeveria nuk ka marrë ndonjë rekomandim nga Komisioni për Sëmundje Infektive, por nëse Komisioni rekomandon disa masa ose protokolle të reja, i njëjti propozim do të diskutohet në Shtabin e Përgjithshëm të Krizave dhe pastaj në një seancë të Qeverisë do të merret vendimi përkatës. Ne vazhdimisht jemi duke analizuar dhe monitoruar situatën, nëse ka nevojë dhe mundësi, Qeveria sigurisht që do të ndërhyjë me masa shtesë”, thonë zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Objektet e gastronomisë, por edhe shumica e bizneseve tjera janë mbyllur më 20 mars të vitit të kaluar.

Pas disa muajsh, përkatësisht nga mesi i verës së kaluar, është mundësuar puna nëpër kafene dhe restorante, por me orar dhe kushte të caktuara.