Skuthëllik i Lulzim Bashës’, kështu i ka cilësuar Damian Gjiknuri listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Gjiknuri, drejtuesi politik i PS-së në Qarkun e Vlorës, i cili kandidon në Vlorë, tha se Partia Demokratike fut më shumë emra në listë sesa ia lejon ligji.
Sipas tij, kjo është një taktikë që kreu i opozitës përdor për të nxjerrë kandidatët nga lista. Ndër të tjera, ai tha se Basha dërgon lista që nuk i di askush. Në lidhje me listën e kandidatëve të PD në Vlorë, Gjiknuri u shpreh se ata nuk kanë asnjë lidhje me Vlorën, krahasuar me kandidatët e PS që i lidh gjithçka me këtë vend, përfshirë dhe kryeministrin Rama.
“9 mandate duket i vështirë për t’u arritur, por për herë të parë shkojmë me vepra jo me fjalë. Kam marrë përsipër zgjedhjen e një ekipi që Vlorës i thotë Vlorë. Mund të jemi i vetmi qark që kemi lidhje. Ky ka origjinën këtej, edhe unë. Kemi dhe dy nga Vlora. Pranvera është shërbyese e komunitetit. Jo vetëm që e ka realizuar planin, por e ka realizuar me ëmbëlsi. Asnjë nuk ka thënë që është goditur nga administrata tatimore. Shihe çfarë ekipi kemi, s’ka rëndësi hierarkia. Vullnet Sina përfaqësues i lumit të Vlorës. Njeri që ka rrënjë të forta në Komunitet. I bezdisur me kërkesat, edhe për mua e kryeministrin, me kërkesat për lumin e Vlorës. Andueli s’ka pasur as rrogë shteti po ka gjithë këto vite që kontribuon për PS. Ata futën në listë më shumë emra sesa i lejon ligji. Futen 17 kur 12 duhet. Kjo është të luash me skuthllëk, prandaj ka zhgënjim nga radhët e PD se nuk janë as të Vlorës. Shto edhe skuthllëkun e Lulit që u thotë të gjithëve po po dhe pastaj dërgon lista që askush nuk i di”, deklaroi Gjiknuri.