Ka mbërritur në mbrëmje në Aeroportin “Nënë Tereza” dërgesa e radhës nga kompania Pfizer, me 9360 doza të  vaksinës antivCOVID. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit Arben Ahmetaj, të pranishëm në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ thanë se furnizimi me vaksina do të vijojë.

“Sot kemi edhe 9360 doza, të cilat vijnë nga kontrata jonë me Pfizer. Do të vijojmë me rivaksinimin, pra me dozat e dyta edhe do të përbyllim gjithë pjesën e parë të vaksinimeve të kryera për stafet mjekësore edhe për të moshuarit në Shtëpitë e të Moshuarve, edhe për të moshuarit +80 vjeç, për të siguruar mbrojtjen e plotë. Nga ana tjetër, prej muajit Prill do të vijojmë të kemi dozat sipas kontratës, dhe do të vijojmë me vaksinimin e kategorisë mbi 80 vjeç, për ta shtrirë edhe në grupmoshat e tjera”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se deri tani janë mbi 80 mijë doza vaksine antiCOVID-19 që kanë mbërritur në vendin tonë, ndërsa priten furnizime të tjera në javët në vijim.