Kur kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, situata politike që pritet të burojë nga këto zgjedhje, pra pas 26 prillit, po fillon të marrë konture të qarta. Jo vetëm sondazhet e njëpasnjëshme nga shumë kompani sondazhesh të kontraktuara nga një pjesë e televizioneve shqiptare, por dhe vetë lidershipi politik kanë “fotografuar” një “maket” të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare. Sipas gjithë këtyre elementëve, udhëheq garën Partia Socialiste, e vetme, e cila kërkon një mandat të tretë, me argumentin se duhen çuar në fund punët e nisura në mandatin e dytë, dhe në veçanti duhet përmbyllur implementimi i plotë i Reformës në Drejtësi. Përballë PS është opozita, e cila hyn në zgjedhje e ndarë, me listat e veta, jo vetëm PD dhe LSI, por dhe dy grupime të vogla politike, si dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, partia e Myslim Murrizit dhe “Nisma Thurje” pjesë e së cilës është dhe deputetja Rudina Hajdari!

Të gjitha sëbashku nuk arrijnë të dalin mbi mbështetjen që parashikohet të ketë PS, e cila sipas të gjitha gjasave pritet të kalojë limitin e 71 votave për të qeverisur e vetme një mandat të tretë. Por ka çuditur sërish ngritja e “amplitudës” së daljes nga “binarët” normalë politikë por dhe njerëzorë të Ilir Metës, i cili sa herë ndjen “erën kundër” fillon e kërcënon në të gjitha drejtimet. Pa kursyer askënd, madje dhe partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht SHBA-të. “Amerikanët i marr për veshi”, deklaron Ilir Meta publikisht, duke dalë hapur fare nga “kostumi” i Presidentit dhe duke folur si Iliri, i “forti” i lagjes. “Veshin” me sa duket e kanë target familjar, pasi gjatë protestave të vitit 2019, kur opozita ishte në rrugë pas djegies së mandateve, ishte kryetarja e LSI njëherësh dhe bashkëshorte e Metës ajo që deklaroi në mënyrë të papritur para mediave se “unë i ha veshin Edi Ramës”.

Për të mos u zgjatur më tej, po përqëndrohemi në faktin se Ilir Meta dhe Sali Berisha janë të bindur se opozita i ka humbur zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, përballë PD dhe Edi Ramës. Për më tepër janë të bindur se Lulzim Basha, me “piruetat” që po bën në raportin e krijuar me ndërkombëtarët është një “mburojë” e pabesueshme duke filluar nga 26 prilli në opozitë, për familjet Berisha dhe Meta. Të cilat akuzohen për korrupsion nga “A” tek “Zh”. Kjo shprehet në artikulimin publik të dy krerëve realë të PD dhe LSI, të cilët kanë forcuar tonet kërcënuese ndaj mazhorancës, duke përmendur deri dhe “prerje duarsh, ndëshkim popullor” apo deri dhe thirrje “për të reaguar në bllok për mbrojtjen e demokracisë dhe për të marrë vetë populli në dorë fatet e vendit”.

Mbrojtja më e mirë përballë Reformës në Drejtësi, që me sa duket i ka target të saj, tashmë që dhe ka filluar të bëjë lëvizje të mëdha, është nën ombrellën e politikës. Ilir Meta sidomos, është i bindur se Reforma në Drejtësi është bërë nga ndërkombëtarët për ta futur atë në bu rg dhe për ta lënë të vetëm Edi ramën në fushën e lojës politike në Shqipëri. Dhe për këtë arsye, Meta e ka ndarë mendjen për të marrë drejtimin e opozitës pas 25 prillit dhe për të “sjellë demokracinë në vend, e cila kërc ënohet nga klika e Edi Ramës”! Për të arritur këtë qëllim Presidenti aktual do të duhet të “zbythë’ Lulzim Bashën nga drejtimi i opozitës, e ndoshta dhe nga drejtimi i PD pas humbjes. Kjo bëhet dhe me “bekimin” e Berishës.

Basha ashtu sikurse u katapultua në krye të PD në kurriz të Sokol Olldashit duke sjellë largimin e të gjitha figurave që bënin vota dhe kishin potencial në PD, ashtu mund të zbohet nga PD, vetëm me vendimin e Berishës. Vendim që me sa duket është marrë tashmë, gjë që e tregon se dhe lëvizja nga “binarët” e Ilir Metës, i cili kur është në hall del para mediave, dhe i zbraz të gjitha pa “korrekturë”. Duke zbuluar dhe skenarët e ardhshë. Dikush mund të thotë se ka efekt dhe alkoli që konsumon!
Vetëm tre net më parë, në një emision televiziv, Meta tha se nëse Rama më 25 prill fiton mbi 71 mandate pa abuzuar me zgjedhjet, ai jep dorëheqjen si President dhe kalon në opozitë.

“Nëse ai merr 71 mandate pa prekur votën e popullit unë në 26 prill jap dorëheqjen nga posti i Presidentit. Do kaloj në opozitë dhe marr drejtimin e opozitës.

Pyetje: Po thoni që do i zini vendin Bashës?

Meta: Unë do të bëhem udhëheqësi i opozitës. Nuk më intereson se kush do të jetë dhe kush është. Unë besoj të demokracia.

Pyetje: Pse do prisni 26 prillin për të dhënë dorëheqjen?

Meta: Atë e vendos unë. Unë jap këto garanci. Vota do të jetë e lirë dhe e barabartë në 25 prill. U prek vota u pre dora e banditit dhe policit të korruptuar”, janë deklaratat e Metës në përgjigjie të pyetjeve të gazetares në panelin e emisionit. Pra Basha nuk llogaritet. Një deklaratë e sinqertë kjo e Ilir Metës, i cili është i bindur se opozita i humb zgjedhjet e 25 prillit, dhe “lubrifikimi” i qëndrimit me pasazhet se “nëse fiton pa prekur votën e popullit”, është thjeshtë një alibi parazgjedhore për të justifikuar humbjen. E themi këtë pasi, nëse zgjedhjet njihen nga ODIHR si të rregullta e të ndershme dhe incidentet zgjedhore brenda “marzhit” normal nuk kanë ndikim në rezultat, nëse 25 prilli njihet nga SHBA dhe BE, pjesa tjetër është thjeshtë një justifikim i humbjes dhe histori për t’u arkivuar.

Ndaj Meta ka nxituar ta bëjë këtë deklaratë, për të pasur rrugën të hapur dhe te mbështetësit e dy partive kryesore të opozitës, mbështetje të cilën ai e ka për zemër ta quajë dhe “vazhdim i 2 marsit të vitit 2020 në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë dhe interesave të shqiptarëve”! Duke dërguar Bashën në shtëpi, në Holandë, Ilir Meta që tani e ka bërë të qartë se si do të jetë opozita e ardhshme e drejtuar prej tij, ku në prapaskenë do të jetë Sali Berisha. Bazuar në qëndrimet e njëpasnjëshme të këtyre ditëve, Meta kryeopozitar pritet të shpalosë një strategji të linjës së ashpër sidomos kundër Reformës në Drejtësi, prej të cilës trembet më shumë. Por që mendon se mandati politik si kryetar opozite do të shpëtojë atë dhe ortakun e tij, në rastin e mundshëm të hapjes së dosjeve të abuzimit me pushtetin.

Njëherëesh, loja me “sovranitetin” dhe “kapjen për veshi të amerikanëve”, do të jetë “kolonë” e opozitarizmit pas 26 prillit, duke treguar muskujt ndaj partnerëve ndërkombëtarë e duke tentuar një përngjasim me partitë radikale në Europë e deri tek imitimi i Viktor Orban në Hungari! Barra e polarizimit të politikës në Shqipëri pas 25 prillit pritet të bjerë mbi shqiptarët, të cilët do të jenën nën trysninë e pandemisë, shpenzimeve për përballimin e situatës pas tërmetit të vitit 2019, por dhe trembjes së faktorit ndërkombëtar me çfarë ndodh në Shqipëri. Gjithsesi 25 prilli është afër, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është ngritur, SPAK dhe Gjykata Speciale po forcohen dita ditës, gjë që rrit shpresën për “këputjen” në mes të këtyre ëndrrave të këqija për shqiptarët dhe hapjen e rrugës drejt progresit dhe integrimit!

Marrë nga Tema