Me Bashkimin Evropian nuk kemi marrëdhënie, e gjithë struktura e këtyre marrëdhënieve është shkatërruar si pasojë e vendimeve të njëanshme të Brukselit, ka thënë ministri i jashtëm rus, Sergei Lavorv.
“Nëse dhe kur Brukseli do të arrijë ta eleminojë këtë anomali, atëherë ne jemi të gatshëm të bisedojmë sërish“, shtoi ai.
Lavrov i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp të përbashkët, me homologun kinez Wang Yi, në përfundim të një takimi dy ditor të mbajtur në Guilin, në Guangxi. Ministri i jashtëm rus, e quajti Moskën si fqinjën më të madhe të Evropës ndaj edhe një portë lihet e hapur.
“Ne do të jemi të gatshëm ti ndërtojmë sërish marrëdhëniet mbi bazën e barazisë së të drejtave dhe në kërkim të një ekuilibri interesash. Nuk ka ndryshime në frontin perëndimor me sa unë shoh ndaj ne kemi një agjendë shumë intensive në frontin lindor që bëhet gjithnjë e më e pasur“, thotë ministri.
“Që nga fillimi i pandemisë, Rusia dhe Kina kanë qenë modele të shteteve të hapura, bashkëpunuese dhe ndihmës të ndërsjelltë. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe kur vjen fjala për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Në këtë pikë, të gjithë duhet të udhëhiqemi nga parimet e humanizmit, në interes të shpëtimit të jetëve, në vend të interesave gjeopolitikë apo tregtarë. Të gjithë, edhe partnerët tanë perëndimorë që po përpiqen ta bëjnë Rusinë dhe Kinën të duken si vende oportuniste për sa i takon vaksinave, duhet ta dinë këtë, ka deklaruar Lavrov.
Rusia dhe Kina refuzojnë kështu akuzat se të dy fuqitë po tentojnë të përdorin vaksinat anti Covid si një mjet gjeopolitik për të rritur ndikimin e tyre në botë.