Përfundon afati për të marrë kartën e naftës falas, me një numër rekord aplikimesh nga fermerë në të gjithë Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Linda Karçanaj, e cila shkruan se ka rekord aplikimesh 20 561 vetëm në 75 ditë nga data e çeljes së aplikimeve për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për karburantin.
“REKORD! 20 561 fermerë aplikuan për naftë falas në e-Albania. Në vetëm 75 ditë që nga data e çeljes së aplikimeve e deri në mbylljen e tyre, si asnjëherë tjetër 20 mijë e 561 fermerë, aplikuan për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për karburantin”, shkruan në postimin e saj në facebook, Drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Linda Karçanaj.
Skema Kombëtare Mbështetëse me Karburant u shtri në të gjithë vendin, në datat 15 janar-31 mars.
Për herë të parë, fermerët patën mundësi të aplikonin online nga kompjuteri i shtëpisë apo smartfoni i tyre deri në fshatin më të largët të Shqipërisë, pa asnjë burokraci, duke u dhënë një mundësi të gjithëve, të bëheshin pjesë e një prej skemave, që mbështesin direkt bujqësinë.
Në platformën e-Albania kanë nisur gjithashtu aplikimet për një skemë që ka përsëri në fokus fermerët.
Skema Kombëtare të Mbështetjes për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e Qeverisë Shqiptare. Aplikimet nisën në datën 24 mars dhe përfundojnë më 15 prill, si një hapësirë e re që falë teknologjisë do të jetë gjithëpërfshirëse, duke rritur prodhimin vendas dhe formalizuar tregun.