Kryeministri Edi Rama ka ndarë në mediat sociale një dedikim të ndjerë për ndarjen nga jeta të kompozitorit të shquar Agim Krajka. Kreu i qeverisë shkruan se nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent.

‘AGIM KRAJKA që në sytë tanë i dha emrin e tij firzamonikës, iku sot në banesën e fundit. Dibran nga rrënjët por dritën e diellit e pa në Kavajë, 84 vjet më parë, me firzamonikën e të atit pranë djepit. Ajo firzamonikë e pandarë nga kraharori u bë e pandashme nga personaliteti i tij krijues, i cili spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste dhe me variacione marramendëse në skenat e këngës popullore.

Nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent, po nuk besoj të këtë ndonjë nga banorët e asaj bote që sot nuk ka ndjerë një therje në zemër për shuarjen e burimit të atyre fishkëllimave. U prehtë në paqe!’- shkruan Rama.