Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot procedurë të veçantë për negociimin dhe ekzekutimin e kontratës me partnerin strategjik “Bechtel Internacional” Inc, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së SHBA-vë, ne fillim të muajit tetor 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë “Bechtel”, Justin Siberell, president i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.

Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranishme në Komision u shpreh se hidroventrali i Skavicës është një ndër investimet më të rëndësishme në sektorin hidroenergjetik shqiptar.

“Skavica do të ketë një rëndësi të veçantë jo thjeshtë për prodhimin e energjisë, por për optimizimin që i bën kaskadës së Drinit, duke rritur kapacitetet prodhese edhe të tre HEC-ve ekzistuese në kaskadë dhe duke zgjidhur njëherë e mirë problemin e përmbytjeve në fushën e NënShkodrës”, deklaroi ministrja.

Kontrata ndahet në dy faza dhe do të nënshkruhen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në cilësinë e autoritetit kontraktues ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do asistojë gjithë procesin.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do t’i paraqesë për miratim Këshillit të Ministrave kontratën e nënshkruar në lidhje me fazën e parë të projektit brenda 3 ditësh pune nga nënshkrimi i saj.

Data e hyrjes në fuqi të kontratës për fazën e parë të projektit do të jetë data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kontratën. Në nenin 5 parashikohen hapat që do ndërmerren për realizimin e projektit.

Shqipëria importon rreth 100 milionë euro energji elektrike në vit dhe ndërtimi i Skavicës realizon uljen me 50 milionë dollarë të importit të energjisë.