Mirela Kumbaro, e cila është renditur e para në listat e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës deklaroi sot se “nuk ka asnjë forcë tjetër politike sot për sot që t’i japë më shumë besim qytetarëve dhe që të ketë bërë më shumë punë se Partia Socialiste”.
Në një intervistë televizive, Kumbaro tha se “78 mandate është një synim i arritshëm për Partinë Socialiste, prandaj dhe kemi për qëllim të marrim dhe më shumë mandate”.
“Synojmë më shumë se 2017. Objektivi 78 deputetë na del plotësisht i realizueshëm. Ne do të fitojmë 3 mandate në Gjirokastër, mund të fitojmë dhe 4, por 3 janë të sigurta. Një mandat i ka kaluar Tiranës me ndarjen e re”, tha ajo.
Kumbaro tha se “PS është forca më e besueshme dhe më e realizuar. Kemi dhënë prova me reformat që kemi bërë. Ne punojmë për të gjithë qytetarët”.
“Fushata po shkon mirë. Ka qenë një periudhë 4-vjeçare, kur kam shkuar shumë shpesh në Gjirokastër. Tani thjesht janë shtuar takimet me njerëzit. Kësaj radhë, në këto java para zgjedhjeve, sigurisht që ka një axhendë tjetër, më shumë intensive, si një lloj llogaridhënie për 4 vitet e shkuara”, tha ajo.
Lidhur me listën e PS-së, Kumbaro tha se “qytetarët e kanë pritur shumë mirë”.
“4 të parët nga 6, ishin gjithashtu 4 vite më parë. Jemi sërish këtu, së bashku me 2 kolegë të tjerë të rinj. Ne jemi një skuadër që kemi qenë prezentë në 4 vite. Sigurisht për njerëzik kjo është një vazhdim i punës. Puna nuk është ndalur asnjë ditë. Puna do të vazhdojë deri në datë 25 prill. Ne vazhdomë të punojmë. Në të 7 bashkitë e qarkut Gjirokastrës tashmë ka ujësjellësa të rinj. Të 7 qendrat e bashkive janë kthyer në atraksion turistik. Këto janë për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për ne”, tha ajo.
Kumbaro tha se ne nuk kemi betejë me kundërshtarët, por vazhdojmë të punojmë.
“Ata janë humbës. Numri 1 i LSI-së dhë PD-së braktisën qytetarët. Ata kërkojnë votë që nuk e justifikuan. Janë lista humbësish. Ne nuk e kemi betejën me humbësit. Ne kemi përballë popullin, të cilëve iu kemi dhënë besën dhe përgjigjemi para tyre. Betejën e kemi me veten tonë për premtimet e mbajtura”, shtoi ajo.
Lidhur me takimet elektorale, Kumbaro tha se “kreu i opozitës është në shkelje totale të rregullave të pandemisë”.
“Nuk e di si mund ta kesh këtë kurajo që të marrësh njerëzit në qafë. Ne jemi përpjekur për të respektuar rregullat. Nëse kemi me ulje shifrash nuk besoj se ka të bëjë me fushatën por ka të bëjë kurba. Të gjithë kemi detyrën të respektojmë protokollet e pandemisë. Është përgjegjësi penale e atij që e shkel. Nuk e di si mund t’ia bësh këtë popullit që synon ta qeverisësh”, tha Kumbaro.
Kumbaro tha se “në vitin 2013 gjetëm një situatë shumë katastrofike”.
“Ministria e Kulturës kishte një gropë të madhe mbi 2.5 milionë euro borxhe. Nuk u gjet asnjë bashki që të kishte plotësuar minimumet. Po të kishim gjetur këto, atëherë do ta kishim bërë që në mandatin e parë. Ju po thoni të bëjmë atë që nuk është bërë në 27 vite. Janë disa kantiere në ndërtim e sipër. Kur e nis nga zeroja, sigurisht kjo merr kohën e vetë. Prandaj dhe kërkojmë dhe mandatin e tretë. Ne kemi dhënë prova”, tha ajo.