Franca dhe Gjermania, dy vendet më të populluara në Bashkimin Europian, konfirmuan se do të vazhdojnë të përdorin vaksinën AstraZeneca, sipas ”LesEchos”.
Në Francë, Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Barnave (ANSM) ndan rekomandimin e EMA për të vazhduar vaksinimin me vaksinën AstraZeneca.
”Në territorin francez, një rast i trombozave të shumëfishta në kontekstin e DIC (koagulimi i përhapur intravaskular) u analizua brenda kornizës së komitetit të monitorimit të 11 marsit. Në funksion të të dhënave në dispozicion, nuk ka asgjë për të konkluduar se ky efekt ka të bëjë me vaksinën”, shpjegoi ANSM.
”Gjithçka që dimë deri më tani sugjeron përfitimet e kësaj vaksine, edhe pasi të gjitha rastet individuale të raportuara, tejkalojnë rreziqet, dhe kjo mbetet e tillë”, tha ndërkohë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një konferencë shtypi.
“Nuk ka arsye për të mos e përdorur këtë vaksinë”, deklaroi edhe OBSH.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në fundjavë se nuk kishte “asnjë arsye për të mos përdorur” vaksinën AstraZeneca Covid.
Një zëdhënës i OBSH-së theksoi se ekspertët nga ajo organizatë po shikonin informacionin e mpiksjes së gjakut, por vuri në dukje se deri më tani nuk ishte gjetur asnjë lidhje shkaku dhe pasoje.
Ajo gjithashtu kujtoi se që nga 9 marsi, më shumë se 268 milion doza të vaksinave Covid ishin administruar në të gjithë botën që nga fillimi i pandemisë, bazuar në shifrat e marra nga OBSH nga autoritetet në secilin vend.
“Asnjë vdekje nuk ka qenë e lidhur me administrimin e vaksinave kundër Covid-19 deri në këtë datë”, tha zëdhënësi.
”Kjo vaksinë është e vetmja e aprovuar nga OBSH me atë të Pfizer-BioNTech, e cila bazohet në një teknikë tjetër”, theksoi ai.