Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, bëri të ditur se kanë nisur sot aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2021 që adreson për 804 milionë lekë subvencione për fermerët, në nëntë masa mbështetëse.
“Ftoj fermerët në të gjithë vendin, të aplikojnë nga sot, 24 mars e deri në 15 prill, me zero dokumenta në portalin e-Alabania, për të përfitur financim nga Skema Kombëtare që mbështet të gjitha kulturat në bujqësi” – u shpreh Ekonomi.
Fermerët aplikojnë vetëm me kartën e identitetit, numrin e NIPT-i dhe me një vetëdeklarim ku mund të kërkohet mbështetje për një nga 9 masat mbështetëse që ka ky program këtë vit.
Skema ofrohet për sektorët blegtori, bletari, zëvendësimi i plastmasit në serra, për prodhimin organik, për certifikimin global GAP, për bimët mjekësore, për shndërrimin e shtëpive në bujtina dhe ndërtimin e një agroturizmi të ri, etj.