Jona Dervishi/
Fushata zgjedhore tashmë nisi dhe urojmë që të bitisi mbarë e pa probleme, paçka se e shoh pak me mëdyshje këtë të fundit, duke parë agresivitetin që karakterizon opozitën por që mund edhe ta mirëkuptojmë sepse vite të gjata pa akses në qeverisje e ka lënë gotën e zbrazur dhe “etja” është përvëluese.
Shqipëria edhe pse një shtet i vogël e pa tjetër me një mori gjërash që duhen rregulluar ka marrë gjithsesi pamjen e një shteti të paktën normal sepse më parë funksiononte si një xhungël e vogël ku shkeleshin me të dyja këmbët ligjet e të drejtat e njeriut dhe forca e ligjit shihej si një barrierë që kalohej shumë lehtësisht.
Një ndryshim politik në këtë kohë do të ishte për Shqipërinë një kthim mbrapa në kohë, duke e kthyer sërisht në tranzicion dhe duke sjellë kështu destabilizim si ekonomik, si social, etj. Ka ende shumë gjëra për të bërë dhe nëse sot vendosim të ndërrojmë qeveri nuk bëjmë gjë tjetër veçse ta dëmtojmë ose ta pezullojmë këtë proces zhvillimi që sapo ka nisur. Absolutisht ka dhe shumë e shumë për t’u bërë dhe mund të ishte bërë akoma më shumë, por siç e theksova nuk jemi gati për ta lënë në gjysmë diçka që po nis të marrë jetë.
Shqipëria nuk është më ajo e viteve 90-97 me militantë të paarsyeshëm, me njerëz që protestat i quajnë “hobby” për të thyer e shkatërruar qytetin” që po me taksat e tyre do ta rindërtojnë më pas. Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të jetë më ajo, ku gjërat të zgjidhen me vandalitet.
Mandati i tretë i partisë në qeveri duhet të na demostrojë qartazi se do të bëjë fillimisht një “mea culpa” për shumë gjëra që nuk janë bërë dhe shumë gjëra që duhet të mos bëheshin dhe janë bërë, duke filluar që me administraten publike, nga ku ka shumë ankesa për joprofesionalizëm, apo me shërbimin e jashtëm, që shumë prurje nga ata janë për t’i dërguar “jashtë orbite“ e jo jashtë shtetit per të përfaqësuar Shqipërinë”. Apo forcat e rendit, që më shumë preokupohen për të ndaluar njerëzit pa maska se sa ata që xhirojnë gomat me shpejtësi skëterrë duke na rrezikuar jetën e fëmijëve tanë. Ka problematika të ndryshme që pikërisht me mandatin e tretë Edi Rama kryeministër dhe qeveria e tij do të duhet t’i rregullojë. Vota jonë për Partinë Socialiste nuk duhet të jetë një votë prej militanti apo një votë për inat të opozitës. Aspak jo!
Duhet të jetë një votë besimi por edhe kërkesë llogarije për të çuar deri në fund misionin që të mund të themi një herë të vetme më në fund “po po, ky vend mund të bëhet”.