“Mbi 1200 të moshuar mbi 70 vjeç pritet të marrin sot dozën e parë të vaksinës anti-Covid , këtu në sheshin Skënderbej, në qendrën më të madhe të vaksinimit në vend. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në ditën e dytë të vaksinimit masiv pritet që mbi 10 mijë persona në të gjithë vendin të injektojnë vaksinën Sinovac”.
Të njoftuar nga mjeku i familjes, të moshuarit kanë zënë radhën në shesh, në pritje të injektimit të vaksinës. Mes tyre ka edhe nga ata që e kanë injektuar vaksinën një ditë më parë dhe thonë se nuk kanë asnjë shqetësim. Fluks ka patur edhe në qendrat shëndetësore ku po kryhet vaksinimi mbi 85 vjeç. Procesi i vaksinimit masiv është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Në Vlorë vaksinimi masiv po kryhet në pallatin e Sportit, ku mbi 1000 persona pritet të marrin vaksinën. Në rritje pritet të vijnë shifrat e vaksinimit edhe në Shkodër. 700 të moshuar pritet të vaksinohen këtë të hënë nga 500 që u vaksinuan një ditë më parë.
Kërkesat për vaksina kanë ardhur në rritje në të gjithë vendin. Edhe ata që kanë refuzuar më herët vaksinën kanë kërkuar që të futen në listat e vaksinimit. Një tjetër mundësi për t’u rifutur në lista, apo për t’u regjistruar për vaksinës është edhe aplikimi përmes portalit e-Albania.
Në Lushnje, dita e sotme e vaksinimit shënon rekord aplikimesh. Brenda dy orëve janë vaksinuar 400 pensionistë të moshave mbi 70 vjeç vetëm në një pikë. Fluksi ka nisur që prej orës 08:00 të mëngjesit ku në ambientet e jashtme të gjimnazit 18 Tetori pensionistët qëndrojnë në radhë. Dita e djeshme u mbyll në Lushnje me 1130 të vaksinuar në 16 pika të hapura gjithsej në të gjithë zonën. Sot kërkesat janë me te larta dhe kryevaksinatorja thekson se ka gjendje vaksina Sinovak për të gjithë të pranishmit.