Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun Fier, Gramoz Ruçi, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të garantojë barazinë e garuesve në zgjedhjet e 25 prillit, duke përmendur faktin se PD ka shkelur rregullat duke vendosur 24 kandidatë nga 18 që lejohen.

“Dua të bëj një apel KQZ-së që të interpretojë siç duhet Kodin Zgjedhor dhe të gjitha subjektet në garë të jenë të barabarta në garë sepse siç kemi marrë vesh subjektet zgjedhore të opozitës kalojnë numrin, duke regjistruar 24 nga 18”, tha ai.

Më pas z. Ruçi i bëri një prezantim të shkurtët ekipit të PS-së në Fier. “Ekipi ynë ka moshën mesatare më të re. Kemi 6 zonja. Nga këndvështrimi im në përbërje të skuadrës së qarkut tonë ka personalitete të spikatura të PS-së dhe të jetës publike dhe politike ashtu sicc ka edhe kandidatë të rinj. Nga 18 kandidatë që ka skuadra jonë e Fierit, 9 janë aktualisht deputetë në këtë legjislaturë. Dua të përgëzoj ata deputetë aktualë që nuk janë pjesë e listës së kandidatëve për qëndrimin. Kanë të gjithë mirënjohjen time. Dua të përmend Bashkimin Finon dhe Nimet Musain që janë me COVID dhe i uroj shërim të shpejtë dhe i presim sa më shpejt të japin kontributin e tyre”, tha ndër të tjera Ruçi.