“Enough is Enough” është instalacioni më i ri i vendosur në Tiranë. Një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej Presidentit George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në përurimin e veprës me domethënien e veçantë dhe tha se është i lumtur që komuniteti shqiptaro-amerikan do ketë një copëz të kontributit në Tiranë. “Kur dëgjon presidentin e Amerikës që thotë: “Enough is Enough”, kupton që u krye. Përkon në mënyrë perfekte me kohën e vendosjes së marrëdhënieve Amerikë-Shqipëri. Jam i lumtur që edhe komuniteti shqiptaro-amerikan do të ndihet se ka një copë të vogël të atij kontributi fantastik “, u shpreh Veliaj.
E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit.
“Ka qenë një thirrje për ne shqiptarët në përgjithësi, ndaj asaj që po ndodh sot në botë. Dhe jam shumë i lumtur që këto dy brigje të lumit i bashkon kjo vepër, dhe besoj që ne na ka bashkuar para 20 viteve dhe nuk do na ndajë më”, theksoi ai.
Gjithashtu, kuratorja e veprës, Ajola Xoxa nënvizoi kuptimin e vendosjes së veprës në dy brigjet e lumit të Lanës.
“Jo rastësisht është e vendosur mes dy anëve të lumit sepse është një lloj ure për të përkujtuar atë momentin kur Shqipëria iu gjend Kosovës në vitin 1999. Për të përkujtuar gjithashtu, këtë miqësi të përhershme që kanë shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës”, tha Xoxa.