Nga Endri Kajsiu/ Nuk kanë të sosur telashet për Lulzim Bashën. Njësoj si katër vite më parë, kryetari i Partisë Demokratike po përballet me aspirantët e shumtë që i ka mashtruar me idenë që do përfshiheshin në listat e kandidatëve për deputetë. Përballja e tij e parë mesnatën e 8 Marsit ishte me aspirantët që u kishte dhënë fjalën për pozicionim në listën e sigurtë. Në realitet, lista e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në krye të saj kishte emra surprizë që në shumicën e qarqeve nuk kishin asnjë lidhje me strukturat lokale. Nuk munguan edhe denoncimet se vendet e para ishin “prenotuar” pas negociatave të drejtpërdrejta financiare me njerëz të afërt familjar të Bashës.

Në një situatë ku vendet e para i zuri me klientë të familjarëve të tij, Basha vendosi të mashtrojë sa më shumë individë nga strukturat e partisë duke u ofruar pozicione imagjinare në listë tek normave ligjore. Në disa qarqe, demokratët kanë përfshirë në listë shumë më tepër emra se sa përcakton Kodi Zgjedhor vetëm për të marrë me të mirë të pakënaqurit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur ti kthejë për reflektim selisë blu listat duke e ftuar që të qëndrojë brenda kritereve ligjore e të reduktojë emrat. Kaq ka mjaftuar që Basha të dalë sërish zbuluar pasi ata që kënaqi me vende imagjinare duhet që ti largojë nga lista fare. Përballë “kryengritjes” së rradhës brenda strukturave të partisë, duket se Basha ka zgjedhur ti bëjë presion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të pranojë listat siç janë dorëzuar duke shkelur ligjin. Vendim që nuk ka asnjë shans të merret pasi Kodi Zgjedhor është mëse i qartë për numrin e lejuar të emrave në listat e 12 Qarqeve.

Kodi Zgjedhor ka vendosur prioritet ruajtjen e parimit 1 në 3 emra të njëpasnjëshëm të jetë grua. Për ta garantuar këtë, përcaktohet që për qarqet ku numri i mandateve rezulton shifër e pa pjesëtueshme me 3, shtohen deri maksimumi dy emra që shifra të bëhet e pjestueshme me 3.

Për shëmbull, nëse Qarku i Vlorës ka 12 deputetë, kjo shifër është e pjesëtueshme me 3 dhe numri i kandidatëve mbetet 12. Partia Demokratike ka dorëzuar listën me 18 emra.

Nëse Qarku i Shkodrës ka 11 mandate, ky numër nuk pjesëtohet dot me 3. Rrjedhimisht, listës i lejohet ti shtohet edhe një emër tepër numrit të mandateve që të bëhet 12 dhe të jetë i pjesëtueshëm me 3.

Mashtrimi që Basha u ka bërë aspirantëve për deputet dhe pamundësia e tij për të ruajtur ekuilibrat në parti po rrezikon të krijojë një situatë të paprecedent ku partia kryesore e opozitës vendos kusht duke i kërkuar KQZ-së të shkelë ligjin.