Agim Krajka mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen e djeshme në moshën 83-vjeçare. Lajmin e trishtë e dha djali i tij, Ulis Krajka, përmes një postimi në rrjete sociale. “Shpirti yt pushoftë në paqe babai ynë i dashur”, shkroi ai. Miqtë e tij kanë treguar së fundmi bisedat e fundit me Agim Krajkën dhe çfarë e shqetësonte më së shumti në lidhje me muzikën, që i dedikoi më shumë se 30 vite të jetës së tij. “Kohët e fundit thoshte çfarë mendonte. Në fakt gjithnjë e shprehte çfarë mendonte por kohët e fundit më shumë, thoshte çfarë ndjente”, tregoi Vikena Kamenica. “Mediokritetin e kishte dhimbje. Faktin që të gjithë po quheshin artistë, dhe ata që bëjnë këngë por që nuk janë këngëtarë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa këngëtari Kozma Dushi është shprehur se për të kënduar një këngë nga Agim Krajka kishte shumë radhë dhe se ata që merrnin një punim prej tij ishin vërtetë me shumë fat. “E kam takuar për herë të parë Krajkën në RTSH. Unë isha i vogël, e takoja nëpër korridore. Më vjen keq që nuk pata fatin të këndoja një këngë të tij. Të them të drejtën për të kënduar një këngë të tij, kishte radhë të madhe. Kanë fat ata që kanë kënduar këngë të kompozitorit”, tha Dushi.

Agim Krajka ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.