Nga Flogert Muça/ Gazetari Andi Bushati ka bërë një deklaratë shumë të rëndë para dy netësh në studion e Open, në Top Channel, kundrejt një ministrje. Teksa fliste për sherrin e Ilir Metës me policinë bashkiake në zyrat e FRD, Andi Bushati duke sulmuar një ministre të qeverisë, e cila është edhe nënë, grua, motër e dikujt,  u shpreh: ”Në një republikë ku presidentit, del një që hap këmbët para kryeministrit dhe thotë nuk i botoj në fletoren zyrtare dekretet e tua, presidentit i lind e drejta të bëjë çdo gjë” (Shih videon në fund të shkrimit).

Kjo deklaratë e Bushatit nuk është vetëm seksiste, por është një akuzë shumë e rëndë që cënon imazhin dhe dinjitetin e ministres të cilën ai sulmoi. Dhe emri i ministres të cilën Bushati e sulmoi nuk ka asnjë rëndësi.

Pak rëndësi ka emri i ministres dhe pozicioni i saj, pasi mund të ishte cilado grua/vajzë edhe joministre nën këtë goditje të ulët që cënon moralin dhe figurën. Ajo që ka rëndësi është akuza shumë e rëndë e gazetarit në fjalë që del e ‘jep mend’ në disa televizione dhe mosreagimi i askujt për këtë goditje të ulët që cënonte direkt moralin e një gruaje.

Ata që u mërzitën pse Edi Rama kishte vendosur një foto të Grida Dumës me mikrofon (që ishte një foto e saj dhe jo montazh) ndaj së cilës në fakt nuk u hodh asnjë akuzë  imoraliteti, për këtë deklaratë shumë të rëndë të Bushatit, heshtën. Duke filluar nga Ilir Meta, që bëri si ithtar i mbrojtes së gruas në rastin Duma e duke vazhduar me Petrit Vasilin, Gjekmarkajn, Markun, Berishën, Bashën e me radhë të gjithë ata që janë në Tramin e PD-LSI në këto zgjedhje, ‘u solidarizuan’ me Dumën .  Pas opozitës edhe gazetarët pranë saj, u sulën në çdo studio kundër fotos së Dumës. Pyetja që lind për secilin prej atyre që ishin kundër zgjedhjes së Ramës është: Po për deklaratën e Andi Bushatit çfarë mendoni? Pse nuk e dënoni gjuhën e tij denigruese dhe akuzuese sa më s’ka ndaj një gruaje?