Ditën e sotme do të mbërrijë një tjetër kontingjent i vaksinave të Pfizer për të vijuar procesin e vaksinimit anti Covid. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije para disa ditësh se do të mbërrijnë rreth 15 mijë vaksina, që pritet të intensifikojnë procesin. “Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së Pfizer ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të Marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash.
Duam që të përmbyllim në një kohë shumë të shpejtë vaksinimin e stafeve tona mjekësore, siç e kemi thënë, brenda dy javëve të para të muajit mars, duke ecur gjithashtu edhe me grupet prioritare të popullatës, siç janë të moshuarit +80 vjeç dhe më pas të vijojmë vaksinimin e grupeve të tjera”, tha Manastirliu. Ndërkohë, shifrat e ditëve të fundit kanë qenë të larta. Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se aktualisht janë 35,598 raste aktive dhe kanë humbur jetën 1,796 persona që nga fillimi i pandemisë.