Kryeministri Rama në forumin e përjavshëm ekonomik, prezantoi zhvillimin e ndodhur në këto vite me revolucionin digjital, përmes së cilit hap pas hapi po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët. “Po hidhen bazat për një sistem të sigurtë anti-korrupsion në shërbimet për qytetarët dhe po sigurohet perspektiva e afërt e kalimit të Shqipërisë në një nivel tjetër sa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe funksionimit të arsyes më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit, marrëdhënies transparente, efikase dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët.” theksoi Rama.

Kryeminstri deklaroi se revolucioni digjital lehtësoi shtetin në reagimin ndaj tërmetit dhe pandemisë, duke u kthyer pas në kohë nga momenti kur nisën të ofroheshin shërbimet online:
“Më lejoni t’ju kujtoj, duke u kthyer pak mbrapa se dy goditjet e rënda që ne kemi marrë njëra pas tjetrës: tërmeti dhe pastaj pandemia nuk do të ishin përballuar dot ashtu siç janë përballuar nëse ne nuk do të ishim në fazën e këtij revolucioni ku këto dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë.

Përfytyroni vetëm për një çast se çfarë do të mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë nuk do të kishim mundësi t’ju shërbenim të gjithë qytetarëve që kishin nevojë të dilnin nga shtëpia. Përfytyroni sikur kjo ngjarje shumë e rëndë, kjo fatkeqësi shumë e madhe të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online, dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve. Ndërkohë që sot nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion, kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 milion përdorues.

Nga 51 mijë aplikime për shërbime online në vitin e 2013, sot në vitin 2021 kemi 7.7 milionë. Nëse në vitin 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë me total 680 mijë transaksione, sot ka 55 databaza që shkëmbejnë informacion në kohë reale me 145 milionë transaksione, pra një numër të ndërveprimeve online të rritur 211 herë.

Nga ana tjetër kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ku ka ardhur, qytetarët shqiptarë do të kishin konsumuar 472 vite nëpër radha. Vetëm gjatë periudhës së pandemisë janë shërbyer 1.2 milion subjekte, janë kursyer përveç të tjerave 293 vite pritje dhe në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 4 milionë euro, që do kishin shkuar vetëm për tarifat minimale, por prap tarifa për dokumenta në radhë pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe rryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet për ato shërbime që sot ne kryejmë.

Sot Shqipëria ka 95% të shërbimeve online. Qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, nuk ka nevojë të takojnë asnjë person, mjafton të përdorin smart phone-in apo kompjuterin e tyre. Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për të garantuar tranparencë dhe efiçencë në fushatën e vaksinimit, e ndërkohë që përgatitemi për të disponuar sasi të konsiderueshme vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë falë revolucionit digjital një sistem që garanton plotësisht transparencë dhe efiçencë dhe kemi krijuar pasaportën digjitale të vaksinimit duke u parapërgatitur edhe për mundësinë që vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët.”

Kryeministri Rama renditi edhe vlerësimet që ky revolucion digjital ka marrë nga organizatat ndërkombëtare duke theksuar edhe vlerën e tij në luftën kundër korrupsionit: “Kini parasysh që revolucioni digjital nuk është një fakt për të cilin flas unë apo flasim ne, por është një fakt për të cilin Shqipëria është vlerësuar shumë lart nga raportet më prestigjoze ndërkombëtare, duke filluar që nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që e quan Shqipërinë të vetmin vend në rajon që plotëson listat e shërbimeve elektronike dhe statistikat që lidhen me e-Qeverisjen.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian që vlerësojnë progresin në axhendën e revolucionit digjital duke theksuar se kjo ndikon vijmësisht në në luftën kundër korrupsionit. Kombet e Bashkuara që vitin e shkuar e kanë renditur Shqipërinë në vendin e 31 nga vendi 92 që ishte në raportin e 2012-ës, duke e vlerësuar me perfomancë të përafërt për shërbimet online me vendet me të ardhura më të larta. Madje ReSPA e vlerësoi Shqipërinë me një çmim për qeverisen digjitale për zbatimin e praktikave, nismave, shërbimeve online si dhe të masave efektive në përballimin e krizës së koronavirusit. Të gjitha këto për të thënë që ky është një fakt botërisht i mirënjohur.”

Më pas Rama u ndal edhe tek procesi i fiskalizimit dhe tek e ardhmja e Shqipërisë si një shtet digjital, plotësisht në shërbim të qytetarit dhe i çliruar nga korrupsioni dhe praktikat e pandershme të punës nga ana e punonjësve të administratës në trajtimin e qytetarëve. “Përmes transformimit të shërbimeve digjitale platforma e-Albania është kthyer në një histori suksesi dhe s’diskutohet që është sot një instrument shumë efikas në duart e të gjithë atyre qytetarëve që e përdorin. Nga 1 janari i këtij viti ne kemi nisur edhe zbatimin e ligjit të fiskalizimit, proces i cili do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në reduktimin e ekonomisë informale, në uljen e evazionit fiskal, në rritjen e të ardhurave dhe në barazinë e subjekteve përpara ligjit si dhe në raport me konkurrencën. Do të kemi një sistem që praktikisht do të mundësojë leximin në kohë reale nga një tru elektronik i të gjitha transaksioneve në të njëjtin sekond në të 28 mijë kilometrat e Republikës së Shqipërisë nga një biznes tek një biznes, nga një biznes tek një konsumator dhe nga një biznes tek shteti. Kështu do të eleminohen përfundimisht praktikat e tmerrshme të inspektimeve fizike lart e poshtë dhe inspektimet do të jenë të bazuara në inteligjencën kompjuterike.

Edhe në shërbimet digjitale, edhe në procesin e një revolucioni digjital, edhe në krijimin e në shteti digjital në të gjitha shërbimet duhet ende kohë, jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë, faktikisht duhen edhe disa vite, brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në një nivel komplet tjetër Shqipërinë në këto marrëdhënie kaq jetike, duke asgjësuar të gjithë atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur një herë e mirë një tmerr të madh në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën, mwe administratën e pasjellshme, me administratën joefiçente, me administratën rryshfetmarrëse e kështu me radhë dhe duke e kthyer të gjithë administratën që është në shërbim të qytetarëve në një makineri mbrapa ekranit, jo mbrapa sportelit dhe duke mundësuar që marrëdhënia e qytetarit me shtetin për të gjitha ato që qytetari ka nevojë, që shteti ka detyrë t’ia garantojë të jetë në xhepin e qytetarit, jo dora e zyrtarucëve dhe zyrtarëve të korruptuar, por shteti i gjithi të jetë në xhep.

Ky do të jetë realiteti i Shqipërisë nesër, por jo nesër pas 30 vitesh, por nesër, brenda katër viteve të ardhshme.” premtoi Kryeministri Rama, në forumin e fundit ekonomik të mandatit të dytë.