Drejtuesit e automjeteve që nuk rinovojnë siguracionin nuk do të marrin gjoba automatike.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor Blendi Gonxhja sqaron se pavarësisht kërkesave të shoqërisë së siguracioneve një rregull i tillë nuk do të përfshihet në kodin rrugor.
Penalitete për drejtuesit e makinave do të ketë në rastet ku konstatohen nga policia në ambiente publike.
“Nuk ka asnjë dispozitë të tillë që të kemi dakordësuar që të jetë pjesë e Kodit Rrugor për të përcaktuar një gjobë automatike nëse nuk rinovon siguracionin e detyrueshëm. Ka vetëm një mënyrë sesi gjobat për mospasje siguracioni të detyrueshëm aplikohen, kjo është përmes vizualizimit, kapjes në qarkullim” tha ai për ABC News.
Pas shtyrjes me tre muaj brenda 2 javëve pritet të rinisë edhe procesi i kolaudimit të automjeteve. Gonxhja sqaron se kriteret e kontrollit teknik të automjeteve do të jenë më të forta meqenëse zgjatet periudha e kontrollit nga 1 vit në 2 vite.
“Teknikët po punojnë dhe shumë shpejt do të jemi në gjendje të hapemi për shërbimin e ri të koaludimit, kriteret do të jenë më të forta” tha ai.
Në ndryshimet e kodit Rrugor është parashikuar rritje e penaliteteve për drejtuesit që abuzojnë me rregullat në të gjitha nivelet. Për këta persona do të jetë e detyrueshme rikthimi në autoshkolle.
“Flasim për ata që i kanë përsëritur dhe janë në ekstremet e kundravajtjes. Kur anulohet leja e drejtimit, nuk do të ketë më vetëm ritestet, por një rikthim në bankat e autoshkollës” tha ai.
Ndryshimet në Kodin Rrugor tashmë kanë kaluar në komisionet parlamentare dhe pritet të marrin miratimin përfundimtar në parlament në seancën e ardhshme.