Turistët në Itali së shpejti do kenë mundësinë të lëvizin me taksi fluturuese dhe të përjetojnë një përvojë luksoze të ngrënies në eko-kulla. Të shijojnë një vakt të mirë me pamje panoramike.
Ky koncept i ri për turizmin, vjen si rezultat i një bashkëpunimi midis kompanisë së avionëve pa pilotë Ehang Holdings dhe arkitektëve nga Giancarlo Zema Design Group me bazë në Romë.
Secila prej kullave të quajtura ‘vertiporte’, do të lejojnë që taksitë e ajrit të ulen vertikalisht në tarracën e tyre, një ambient eko-miqësor i mundësuar nga energjia e gjelbër.
Pas konsumimit të një vakti të kushtueshëm dhe marrjes së pamjeve panoramike, makinat fluturuese do t’i çojnë vizitorët në një fluturim piktoresk deri në hotelet e tyre.
Sipas dizenjatorëve, dizajni unik i kullave vertiport është frymëzuar nga Baobab, një pemë jetëgjatë e Afrikës dhe këto kulla do të ndërtohen nga një kombinim i drurit dhe çelikut të laminuar.
Brenda secilës kullë do të ketë një kafene, një dhomë pritjeje dhe një restorant panoramik. Ndërkohë tarraca e kulmit në majë të secilit vertiport do të jetë e pajisur me panele diellore që nuk rrëshqasin, të afta të gjenerojnë më shumë se 300 kilovat energji çdo ditë.