Komisioni Europian i ka akorduar Shqipërisë 90 milionë euro në emër të BE-së si pjesë e programit të ndihmës makro-financiare për rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit. Lajmi është publikuar nga faqja zyrtare e Zyrës së BE-së në Tiranë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ka postuar njoftimin dhe nga Twitteri thotë se BE me ketë veprim tregon se gjendet pranë shqiptarëve në luftën ndaj Covid dhe pasojave që po lë pas.

‘COVID-19 nuk njeh kufij. Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Ky disbursim i parë prej 90 milion eurosh do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda socio-ekonomike të pandemisë, duke mbështetur kategoritë më të prekshme. Ky program është një demonstrim tjetër konkret i solidaritetit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë në këtë kohë krize të paparë’.

Fondet do të vihen në dispozicion për 12 muaj në formën e huave me kushte të favorshme për të ndihmuar Shqipërinë që të mbulojë nevojat urgjente të financimit. Transaksioni i sotëm pason miratimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit me Shqipërinë, I nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, i cili përcakton kushtet e politikës që duhet të plotësohen për disbursimin e këstit të dytë prej 90 milion eurosh.

Shqipëria është mes 8 vendeve që merr një disbursim nga paketa emergjente e Ndihmës Makro Financiare prej 3 miliardë eurosh.